Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve, që u kapën në flagrancë dje gjatë bastisjes së një laboratori të drogës sintetike të llojit “Methafentaminë” në fshatin Sllakoc të Epërm të Gjilanit.
Të dyshuarit janë kapur duke prodhuar narkotikë në një laborator të krijuar në një shtëpi të kontraktuar prej tyre, ka njoftuar Prokuroria.
“Ferizaj, 20 Dhjetor 2024 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve: N. H, shtetas i Sllovakisë, L.A., , me kombësi shqiptar/sllovak- shtetas i Republikës së Sllovakisë dhe S.I,- shtetas i Republikës së Kosovës, për rastin e krijimit të laboratorit për prodhimin e të narkotikëve të llojit Methafentaminë, ndryshe i koduar si plan taktik “QAFA 2”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë.
Bastisja e kryer më 19 dhjetor çoi në arrestimin e dy të dyshuarve brenda laboratorit, ndërsa i treti u kap në afërsi duke bërë roje.
Operacioni i koduar “QAFA 2” zbuloi prova të qarta të përpunimit të narkotikëve në vendngjarje. Prokuroria ka deklaruar se të dyshuarit akuzohen për “prodhimin dhe përpunimin e paautorizuar të narkotikëve” sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë, disa të dyshuar të tjerë kanë arritur të ikin dhe janë në kërkim nga autoritetet.