image Kërkohen hetime për audio-inçizimin ku kryeministri bullgar dëgjohet duke kërkuar djegien e deputetes

Botë

Kërkohen hetime për audio-inçizimin ku kryeministri bullgar dëgjohet duke kërkuar djegien e deputetes

news image

Një deputete bullgare ka kërkuar hetime pas daljes së një audio-inçizimi ku një burrë me zërin që i ngjason atij të kryeministrit të vendit, Boiko Borissovit, është zotuar “që ta djegë atë”.

Elena Yoncheva, një ish gazetare që ka qenë e angazhuar në një fushatë për të ekspozuar korrupsionin qeveritar, tha që prokurori i shtetit duhej të shqyrtonte në audio-inçizim shtatëminutësh, që është dëgjuar tashmë nga më shumë se një milion bullgarë që kur u postua në mënyrë anonime në YouTube dhe në media tjera sociale.

Borissovi e ka kontestuar autenticitetin e audio-inçizimit, që dukej se ishte regjistruar në muajin prill, ndërsa shumë kritikë konsiderojnë që ishte përdorur forma e manipulimit “deep fake”, shkruan The Guardian.

Bullgaria është vendi më i korruptuar në BE, sipas Transparency International, dhe po ashtu edhe vendi më i varfër në bllokun 27 anëtarësh.

Borissovi, i cili më herët kishte qenë truproje e liderit komunist bullgar Todor Zhivkov, është kryeministër i vendit të tij për më shumë se dhjetë vjet.

Në audioinçizimin në fjalë që u publikua më 12 qershor, një burrë me zërin e kryeministrit dëgjohet duke diskutuar çështjet partiake dhe qeveritare para se të nënkuptonte se ishte i gatshëm të sakrifikonte ministrin e tij të ekonomisë, Aleksandër Manolevin, pas një skandali me keqpërdorim të fondeve të BE-së nëse ai do ta “digjte deputeten Elena Yoncheva të gjallë”. Manolev më pas ishte akuzuar për abuzim të fondeve.

Inçizimet kishin dalur pak para se disa fotografi t’iu dërgoheshin mediave që e shfaqnin kryeministrin Borissov në gjumë e me armë në dorë krah tij dhe me një sirtar hapur të mbushur me para dhe me ar.

Ai e ka pranuar se fotografia në fjalë mund të ishte e vërtetë. Ai ka akuzuar presidentin bullgar, Rumen Radev, një rival politik, se ka përdorur dronin për t’i bërë fotografi atij./ Gazeta Sinjali/