image Kërkesa dhe arsyetimi i prokurorisë për masën e paraburgimit ndaj 24 të dyshuarve

Drejtësi

Kërkesa dhe arsyetimi i prokurorisë për masën e paraburgimit ndaj 24 të dyshuarve

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 24 të dyshuarve të cilët u arrestuan në mega-aksionin policor të djeshëm, nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprat penale kontrabandim me mallra dhe organizim i skemave piramidiale dhe bixhozit të paligjshëm.

Gazeta Sinjali ka siguruar kërkesën e Prokurorisë, ku janë dhënë detaje për dyshimin ndaj të arrestuarve për vepra të ndryshme penale.

Detaje nga kërkesa e Prokurorisë:

Për shkak të dyshimit të bazuar se 15 nga 24 të arrestuarit, nga muaji nëntor dhe më tutje, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë, në mënyrë të vazhdueshme, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete apo për tjetër kënd, kanë ndërmarrë veprime të rëndësishme për të kontrabdanuar gjedhe të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale jashtë vikës kufitraë, duke shmangur kontrollin doganor.

Kështu, të pandehurit Rexhep Spahiu, Lirik Morina, Florim Ajvazoviç, Agim Ajvazi, Nehat Morina, Hesat Rrudhani, Përparim Shabani, Arsim Dërmaku, Fatlum Bajrami, Riza kastrati, Ilaq Thaqi, Rabit Ajvazi, Adhurim Thaqi dhe Faton Kryeziu, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Kontrabandim me mallra”.

Por çfarë thuhet në aresytimin e prokurorisë për paraburgimin e pronarëve të bizneseve?

Jeton Buquku, në cilësinë e pronarit të fabrikës BUQUKU në Pejë, prej muajit dhjetor 2019 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të pervetësimit pasuror, ka blerë pasurinë e cila është përfituar në mënyrë të kundërligjshme, ku ka blerë gjedhe për të cilat ka qenë në dijeni se janë të kontrabanduara.

Jusuf Hasani, në cilësinë e pronarit të biznesit Luli në fshatin Stanishor në Komunën e Novobërdës, dyshohet për blerje, pranim, fshehje e sendeve të përfituara si dhe prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Nadir Shantir, pronari i ndërmarrjes NTP Shantir në Prizren, po ashtu dyshohet për veprën penale blerje, pranim, fshehje e sendeve të përfituara dhe prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Edhe pronarët e bizneseve të tjera dyshohen për këto vepra penale

Në kërkesën e prokurorisë, thuhet se i pandehuri Idriz Kurteshi, që nga muaji shtator 2019, deri më 18 shtator 2020,  në lokalin  Automate  Club, në fshatin Karaçevë, në Komunën e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të kundërligjshme  dhe në vazhdimësi ka organizuar lojërat të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Në arsyetimin e prokurorisë thuhet se kërkesa për masën e paraburgimit ka ardhur pasi që sipas tyre janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin masës së paraburgimit.

Po ashtu në këtë kerkësë, prokuroria konstaton se është plotësuar baza themelore ligjore se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale që u përmendën më lartë.

Sipas prokurorisë, hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se me gjetjen e të pandehurve në liri në këtë fazë të procedurës ka gjasa që mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë.

Prandaj, lënia e të tyre në liri, sipas kërkesës, do të pengonte në zbardhjen e gjendjes faktike dhe përballjen e të pandehurve në organet e drejtësisë.

Në arsyetimin e prokurorisë thuhet se baza ligjore për caktimin e paraburgimit qëndron në peshën e veprave penale por edhe të përfshirëve në këtë çështje pasi në rastin konkret ka të përfshirë zyrtarë policorë të cilët në mënyrë direkte por edhe indirekte janë të involvuar në këto vepra penale dhe me veprimet e tyre kanë kontribuar në zhvillimin dhe lulëzimin e fenomeneve negative.

Prandaj, Prokuroria kërkon nga Gjykatësi i procedurës paraprake që pas seancës dëgjimore të pandehurve t’u shqiptohet masa e paraburgimit si masë e sigurisë si dhe të pengohet obstruksioni që mund t’i bëhet këtij procesi.

/GazetaSinjali/