Aksidentet në trafik shpesh shkaktojnë edhe konflikte e mosmarrëveshje mes personave të përfshirë, që eskalojnë dhe përfundojnë me rrahje brutale. Kështu ka ndodhur edhe të dielën, në rrugën “Besim Rexhepi” në Ferizaj, ku pas një aksidenti mes dy veturave katër persona janë përfshirë në rrahje, tre prej të cilëve e kanë sulmuar keq të dyshuarin tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur në orët e pasdites dhe në aksident janë përfshirë një veturë me targa të Maqedonisë dhe një me targa vendore. Ngjarja ndodhi pasi shtetasi i Maqedonisë iku nga vendi i ngjarjes pas aksidentit, veprim ky që mllefosi të dyshuarin në veturën tjetër.
Për pasojë, ata u vunë në ndjekje të të dyshuarit, derisa arritën ta ndalin në rrugën “Besim Rexhepi”, ku edhe e sulmuan brutalisht, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për çka i njëjti u dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim.
Në anën tjetër, Policia ka arritur t’i arrestojë tre personat e tjerë të dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacion policor dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.