Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Prizren, ku një i moshuar dyshohet se ka sulmuar fizikisht familjarin e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes Çoçaj, ku një 76-vjeçar dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka eskaluar në sulm fizik ndaj viktimës, të cilin e ka goditur me stol të drurit.
Si pasojë e lëndimeve të marra, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, teksa rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i moshuari është dërguar në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.