image “Kemi humbur disa mjekë", gjendja me koronavirus në komunën e Prizrenit

Shëndetësi

“Kemi humbur disa mjekë”, gjendja me koronavirus në komunën e Prizrenit

news image

Fadil Kryeziu nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Prizren ka thënë se kjo komunë ka humbur disa mjekë si pasojë e koronavirusit, derisa ka njoftuar se ka ende punonjës shëndetësorë të infektuar nga ky virus.

“Kemi humbur disa mjekë, së fundmi kemi edhe një punëtore shëndetësore që ka ndërruar jetë ditën e sotme. Kemi staf shëndetësor të infektuar me Covid-19, disa janë në proces të shërimit. Kemi edhe personel të mesëm – infermierë – të infektuar. Për fat të mirë nuk është numri shumë i madh, por është krejt e pritshme që edhe ata të infektohen nga puna e tyre”, tha ai.

Kryeziu thotë se aktualisht në këtë komunë janë rreth 100 raste aktive, kurse vetëm gjatë muajit korrik njofton se janë shëruar mbi 161 persona të infektuar.

“Ne vetëm në Prizren kemi rreth 100 raste aktive me Covid-19. Sot kemi 17 të rinj që futen në grupin e atyre që janë aktivë. Në nivel të rajonit kemi mbi 200 persona që janë Covid-19 aktivë. Por, edhe gama e të shëruarve po shkon duke u rritur – vetëm në muajin korrik kemi mbi 161 persona që janë shëruar në gjithë komunën. Për fat të mirë një pjesë e madhe e këtyre personave po e përballojnë infeksionin, derisa për fat të keq një numër i pacientëve kanë ndërruar jetë. Vetëm në Prizren gjatë muajit korrik kemi një numër të lartë të të vdekurve”.

Ai thotë se shkuarja e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri rrit mundësinë e përhapjes së koronavirusit. Sipas tij, vetëm gjatë fundjavës mbi 6 mijë qytetarë shkojnë nga Kosova në Shqipëri.

“Edhe Prizreni është në vorbullën e pandemisë pothuajse njësoj si pjesët e tjera të vendit, sidomos në këtë fazë kur kemi një shtrirje më të gjerë të infeksionit me Covid-19, si rezultat i qarkullimit të madh të njerëzve brenda dhe jashtë vendit. Jemi në pikën e kufirit me Shqipërinë, ku vetëm gjatë vikendit mësyjnë Shqipërinë mbi 6000 persona që është një mundësi e madhe e bartjes së infeksionit tutje”, tha ai.

Kryeziu thotë se numri i të infektuarve nga komuna e Prizrenit të cilët janë hospitalizuar është shumë i lartë, ashtu sikurse edhe numri i të prekurve në përgjithësi.

“Gjendja me pandeminë edhe në Prizren është sikurse në qytetet e tjera të vendit. Numri i të sëmurëve dhe hospitalizuarve në Repartin e Pulmologjisë dhe Infektives në Prizren është shumë i lartë, ashtu sikur edhe numri i të diagnostikuarve me Covid-19. Vetëm sot kemi 17 raste pozitive që nënkupton personat që janë testuar më 21 dhe 22 të këtij muaji. Në ditët e tjera në mesatare numri i të infektuarve shkon nga mbi 5 deri 10”, tha ai në Klan Kosova, transmeton Gazeta Sinjali.

Ai po ashtu ka folur edhe për vonesën e rezultateve të testimeve, për të cilat ka pasur shumë kritika dhe ankesa, e të cilat sipas tij po ndodhin për shkak të mbingarkesës së Laboratorit të IKSHPK-së në Prishtinë.

“Ne nuk kemi rezultate për dy ditët e fundit që kemi mostruar, derisa sot kemi marrë rezultatet e ditës së martë dhe të mërkurë. Kjo ndodh për shkak të ngarkesës shumë të madhe në laboratorin e Prishtinës ku kapacitetet teknike dhe njerëzore kaq mund të bëjnë. Po supozoj që e kanë tejkaluar edhe mundësinë, sepse po bëhet një punë e jashtëzakonshme nga kolegët në laborator”, tha ai./Gazeta Sinjali/