image Këmbim valutor pa licencë në Berat, 11 masa sigurie dhe mbi 118 mijë euro të sekuestruara

Shqipëri

Këmbim valutor pa licencë në Berat, 11 masa sigurie dhe mbi 118 mijë euro të sekuestruara

news image

Policia e Beratit ka ekzekutuar 11 masa sigurie ndaj disa personave të dyshuar për ushtrimin e veprimtarisë së këmbimit valutor pa licencë.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.

Sipas policisë, katër persona janë vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për shtatë të tjerë është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, si dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se në 6 subjekte për transferta parash, në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal, dyshohet se kryhej këmbim valutor pa licencën e nevojshme sipas ligjit.

Nga kontrollet e ushtruara në këto subjekte, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 808 000 lekë, 118 425 euro, 7 390 dollarë amerikanë, 665 paund, 110 franga zvicerane, 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe një laptop.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/