image Kelkos paditi aktivisten Loshaj, i kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim

Drejtësi

Kelkos paditi aktivisten Loshaj, i kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim

news image

Aktivistja për mbrojtjen e mjedisit nga organizata “Pishtarët”, Shpresa Loshaj, ka bërë të ditur se sot është paditur nga kompania Kelkos për shpifje, shkruan Gazeta Sinjali.

Loshaj ka thënë se i janë kërkuar 100 mijë euro si dëmshpërblim për shkak të dëmtimit të imazhit pasi që ajo kishte bërë disa deklarata për media në lidhje me shkeljet e Kelkosit.

“Kjo padi është bërë disa muaj pasi e njëjta kompani e paditën aktivistin Adriatik Gacaferi me 10,000 euro për një kritikë të drejtë që ia kishte bërë Kelkosit. Vetëm se te rasti im, vendosën t’ia shtojnë prapa edhe një 0”, shkroi ndër të tjera Loshaj në Facebook.

Po ashtu, ajo shtoi se kanë filluar me përgatitjen e përgjigjes së padisë duke shtuar se të tilla si këto nuk mund t’ia mbyllin gojën.

“Ne kemi filluar tashmë me përgatitjen e përgjigjes në padi dhe pa mare parasysh sa 0 ja shtojnë, paditë e tilla nuk na e mbyllin gojën por na motivojnë që të angazhohemi edhe më shumë në mbrojtjen e ambientit dhe vendit tone”, shkroi ajo.

Këto padi ajo i quajti si “SLAPP”, pasi që sipas saj janë strategji kundër pjesëmarrjes publike dhe synohet që të pengohet kritika dhe pjesëmarrja e aktivistëve në procese publike.

Shpresa Loshaj vazhdimisht ka ngritur zërin ndaj problemeve mjedisore dhe ka kërkuar llogari nga institucionet kompetente./Gazeta Sinjali/