Njësiti A4 i termocentralit Kosova A do t’i nënshtrohet remontit të rregullt vjetor, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës.
KEK ka njoftuar se sonte nga ora 00:00 njësia do të ndalet në mënyrë të planifikuar dhe kontrolluar.
“Menjëherë pas krijimit të kushteve teknike në terren dhe përfundimit të procedurave të nevojshme të sigurisë, do të fillojnë aktivitetet e remontit vjetor, të cilat kanë për qëllim inspektimin, riparimin dhe sanimin e pajisjeve kryesore, rritjen e besueshmërisë operative, përmirësimin e performancës teknike dhe sigurimin e operimit të qëndrueshëm të njësisë gjatë ciklit të ardhshëm njëvjeçar të punës”, ka njoftuar KEK.
KEK ka bërë të ditur se remonti vjetor i kësaj njësie përfaqëson ndër aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së termocentralit Kosova A.
“Përmes këtyre ndërhyrjeve parandaluese dhe korrigjuese, synohet që njësia të operojë në mënyrë të sigurt, stabile dhe efikase deri në remontin e radhës vjetor. KEK mbetet i përkushtuar që, paralelisht me projektet madhore të modernizimit që po zhvillohen në kapacitetet gjeneruese në TC Kosova B, të vazhdojë realizimin e aktiviteteve të rregullta të mirëmbajtjes edhe në njësitë e TC Kosova A, me qëllim të sigurimit të operimit të tyre të besueshëm, të sigurt dhe afatgjatë”, ka njoftuar KEK.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!