Kompania energjetike ‘KEDS’ ka njoftuar se po punojnë që të rikthejnë energjinë elektrike për të gjithë konsumatorët në rajonin e Dukagjinit, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas KEDS-it, kushtet atmosferike të cilat kanë filluar të rëndohen ditëve të fundit në rajonin e Dukagjinit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin energjetik në atë pjesë, ku për pasojë konsumatorët që furnizohen nga daljet e afektuara nga erërat kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike.
Më të goditurat ishin Peja e Deçani, si pasojë e erërave të fuqishme dhe faktorëve tjerë atmosferik janë rrëzuar shumë shtylla elektrike, sikurse janë këputur shumë përçues dhe dëmtuar stabilimente tjera përcjellëse.
“KEDS menjëherë ka mobilizuar dhe angazhuar dhjetëra ekipe të cilat kanë dalur në terren për të sanuar dëmet e shkaktuara dhe për të rikthyer furnizimin me energji elektrike në kohën më të shpejt të mundshme për banorët e zonave të afektuara. Kushtet klimatike në zona të thella malore, si Rugova apo disa zona më të thella të Deçanit po e vështirësojnë punën në maksimum, pasi atje ka edhe borë. KEDS pos punëtorëve të këtij rajoni, ka dërguar menjëherë edhe ekipe shtesë nga rajonet tjera të Kosovës që t’u dalin në ndihmë për ti sanuar sa më shpejtë prishjet”, thuhet nga KEDS-i.
Prishjet në nivelin e tensionit të Mesëm pritet të sanohen komplet deri sonte në mbrëmje.
KEDS kërkon nga qytetarët që nëse shohin ndonjë anomali në rrjetin elektrik të mos i afrohen, por të lajmërojnë menjëherë KEDS-in përmes kanaleve të komunikimit, sidomos në numrin e Qendrës së Thirrjeve 0800 791 00.