KEDS ka zgjeruar projektet e investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike përmes një linje të re nëntokësore 35 kilovoltëshe në rajonin e Dragashit për nevojat energjetike të banorëve.
Sipas KEDS, linja 35 kilovoltëshe shtrihet nga fshati Zhur deri në qytetin e Dragashit, me gjatësi prej 19.6 kilometra.
Në njoftimin e KEDS, thuhet se Komuna e Dragashit ka pasur probleme me energji elektrike por që tani e tutje kjo situatë ka ndryshuar në të mirë të qytetarëve.
“Me përfundimin e këtij projekti, rrjeti i tensionit të mesëm në komunën e Dragashit tani është përmirësuar dhe banorët e kësaj zone tani do të kenë energji më cilësore. Për më tepër, Dragashi si një rajon është me interes të lartë për zhvillimin e nënstacioneve të reja me burime të ripërtëritshme të energjisë, që duhet të mbështetet vazhdimisht nga KEDS për lidhjen e tyre me rrjetin”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Me ndërtimin e linjës së re të shpërndarjes nëntokësore 35 kilovoltëshe, KEDS ka bërë një zgjidhje emergjente dhe të nevojshme për banorët e kësaj ane të Kosovës./ Gazeta Sinjali/