image "KEDS/KESCO nuk rrisin çmime e as nuk ndryshojnë tarifa"

Kosovë

“KEDS/KESCO nuk rrisin çmime e as nuk ndryshojnë tarifa”

news image

KEDS dhe KESCO përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur që nuk rrisin çmime dhe as nuk janë përgjegjës për strukturën tarifore.

Sipas tyre, kjo strukturë ndërtohet pas aplikimit për Të Hyrat Maksimale të Lejuara (MAR).

“Në aplikimin tarifor, të gjitha Palët e Interesit, duke na përfshirë edhe neve, kemi të drejtë të dërgojmë propozime tona. Por, është ZRRE ajo që merr vendimet. Deri tash, 95 për qind e propozimeve tona nuk janë marrë parasysh. Pra, heqja e bllok tarifës në vitin 2017 ishte dhe mbetet përgjegjësi ekskluzive e ZRRE-së. Ne nuk jemi politikbërës, por jemi vetëm kompani operative”, thuhet në një njoftim për media.

“Asnjë shtet nuk kemi parë që e ka drejtuar gishtin nga kompania distributive për krizën. Kompania distributive shpërndanë energjinë elektrike që e ka në dispozicion. Nëse ka prodhim të mjaftueshëm dhe nëse kostoja e importit mbulohet, sistemi nuk afektohet. Në Kosovë ndodhi e kundërta: Kostoja e importit nuk u mbulua për muaj të tërë, ndërsa kur energjia elektrike nevojitej më së shumti, u reduktua ndjeshëm prodhimi vendor. As çmimet e importit as prodhimi vendor nuk janë në dorën tonë”.

Sipas KEDS, kur kostot nuk mbulohen, vjen deri te krisja e hallkave të zinxhirit elektroenergjetik.

“Borxhi i akumuluar ndaj KOSTT dhe KEK ka ardhur pikërisht nga mosmbulimi i kostove të importit për një kohë të gjatë. Nëse ky borxh do t’u paguhej kompanive, kufizimet e energjisë elektrike do të fillonin qysh nga muaji shtator”.

“Ne kemi përdorur të gjitha mjetet dhe kemi paralajmëruar qysh në gusht që çmimet e importit po rriteshin ndjeshëm dhe duhej vepruar. Askush nuk ndërmori asgjë. Kishim aplikuar edhe për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor në mënyrë që të mos afektohej sistemi dhe konsumatorët të vazhdonin të merrnin shërbimet adekuate, por sërish nuk u ndërmor asgjë. ZRRE e arsyetoi këtë duke thënë: Çmimet e energjisë elektrike në berza janë spekulative dhe do të bien!”.

Tutje në njoftim thuhet se “Në praktikë ndodhi e kundërta, ato u rritën tutje. Ne vazhduam ta bartim barrën deri sa na u shterën të gjitha resurset financiare dhe mundësitë. Sikur politikbërësit të vepronin në kohë dhe të merrnin parasysh kërkesat dhe paralajmërimet tona, ne nuk do të vinim në këtë situatë. Ajo do të përballohej shumë më leht”.

KEDS thotë se kanë bërë në vazhdimësi aq sa kanë pasur në dorë.

“Fitimet dhe humbjet e KEDS/KESCO janë të rregulluara dhe nëse tejkalohet, atëherë kthehet vitin tjetër në sistem me 8 për qind kamatë. Pra, gjithçka është formulë matematikore!  Ndryshe, të dy kompanitë e kanë përmbyllur vitin e fundit me humbje”.

“Ndërkohë, krejt çka është fituar deri tash, ka shkuar për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kemi investuar për tetë vjet të operimeve tona rreth 190 milionë euro në rrjetin elektrik të vendit, që e gjetëm në gjendje të rëndë. Ai tashmë është përmirësuar ndjeshëm. Si rezultat i operimeve dhe investimeve efiçiente ka shumë vjet që çmimet e energjisë elektrike nuk kanë ndryshuar. Të njëjtën kohë, pronarët kanë dhënë nga xhepat e tyre deri tash mbi 60 milionë euro për humbjet jopërformuese”.

Në fund të njoftimit thuhet se “Në këto rrethana, KEDS/KESCO kërkojnë nga të gjitha palët politikbërëse që të bëjnë më të mirën e mundshme për funksionimin e sistemit, pasi nga vendimet dhe politikat adekuate, përfiton direkt konsumatori kosovar. Në rrethana krize, kur secili e kryen punën me përkushtim dhe përgjegjësi, atëherë ajo përballohet shumë më lehtë”.

/GazetaSinjali/