Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se është gjuajtur me armë transformatori në Ballofc të Podujevës dy herë brenda javës.
Sipas njoftimit të KEDS, rasti i parë ka ndodhur më 5 nëntor, ku persona të panjohur edhe për policinë kishin gjuajtur me armë dhe e kanë dëmtuar transformatorin “Ballofc 2 Bunjaket”.
“Ekipet tona kanë denoncuar rastin në polici me datë 06.11.2022. Pas kësaj të nesërmen ne e kemi ndërruar transformatorin dhe e kemi kthyer furnizimin me energji elektrike. Sipas banorëve të kësaj lagjeje atë natë ka ndodhur një tentativë vjedhjeje në një shtëpi afër vendit ku ndodhet transformatori. Sipas banorëve të kësaj lagje policia është duke e ndjekur rastin”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Sipas KEDS-it, një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe sot në të njëjtin trafostacion, ku është djegur paneli i tensionit të ulët.
“Për këtë rast sërish është njoftuar policia dhe është hapur rasti. Për shkak të këtij dëmtimi të qëllimshëm kemi rreth 120 konsumatorë pa energji elektrike. KEDS dënon fuqishëm rastet e tilla, nga të cilat pos dëmtimit të aseteve, e pësojnë edhe konsumatorët”, thuhet në njoftim.
Më tutje, fton Policinë e Kosovës që rastet e tilla t’i trajtojë me prioritet, në mënyrë që të kapen fajtorët dhe këto raste të mos përsëriten më.