image KEDS del me reagim: ZRRE-ja nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e krizës

Kosovë

KEDS del me reagim: ZRRE-ja nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e krizës

news image

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka deklaruar se e kishte paralajmëruar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për krizë energjetike që nga korriku i 2021-s, por sipas saj, ky institucion nuk kishte marrë asnjë masë.

Sipas KEDS-it, kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të krizës ishte refuzuar, ndërsa theksoi se ZRRE-ja mori më pas një vendim të vonuar, “i cili nuk dha asnjë rezultat në tejkalimin e krizës”.

Komunikata e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Siç jeni në dijeni, gjatë vitit 2021 dhe 2022, sektori i energjisë elektrike në Evropë dhe në rajon është përballur me një krizë energjetike shumë të rëndë-më të rëndën gjatë dekadave të fundit. Vendet, si Kosova, prodhimi i të cilave nuk mbulon kërkesën për konsum, e kanë ndier këtë krizë edhe më thellë.

Edhe pse sinjalet e para të krizës energjetike janë shfaqur në korrik të vitit 2021, Zyra e Rregullatorit për Energji, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga operatorët KEDS dhe KESCO, nuk ndërmori asnjë masë për parandalimin e kësaj krize.

Kërkesa për shqyrtimin e jashtëzakonshëm, e cila bazohet në legjislacion, nuk u mor parasysh dhe, si e tillë, në parim u refuzua, pa  e parë të nevojshëm analizimin e mëtutjeshëm të saj, ashtu siç kërkohet me rregullën përkatëse.

Në shkurt të këtij viti, Rregullatori mori një vendim të vonuar, i cili nuk dha asnjë rezultat në tejkalimin e krizës, duke i detyruar operatorët që të operojnë nën kosto.

Mosveprimet e Rregullatorit kanë krijuar çrregullime, konfuzion dhe kosto shtesë në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Për më tepër, edhe pse sektori i energjisë elektrike është në gjendje emergjente që nga dhjetori i vitit të kaluar, Rregullatori këmbëngul të mos ndërmarrë asnjë veprim.

Të gjitha vendet e rajonit i kanë mbështetur operatorët në sektorin e energjisë elektrike me një sërë masash, në mënyrë që të sigurojnë qëndrueshmërinë e sistemit të tyre elektroenergjetik. Rregullatori, si i vetmi autoritet përgjegjës në funksionimin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm të sistemit energjetik, ka dështuar të përmbushë detyrimet e ofruara me ligj, duke mos vepruar dhe, si rrjedhojë, e ka futur sistemin energjetik në një krizë akoma më të thellë.

Me shqetësim të madh, më 16 nëntor 2022, kemi pranuar komunikatën për media, përmes së cilës njoftohemi se në seancën e 13-të të Bordit të ZRRE-së, është shqyrtuar vlerësimi përfundimtar në lidhje me gjetjet e prezantuara nga stafi profesional i ZRRE-së në raportet e monitorimit, duke e  miratuar propozimin për masat administrative me gjobë për KESCO-n në vlerë prej 8,4 milionë euro dhe për KEDS-in në vlerë prej 2,7 milionë euro.

Nga kjo deklaratë shihet qartë se Bordi i ZRRE-së, në mënyrë që t’i shkarkojë përgjegjësitë e mosveprimeve të vazhdueshme të tij, ka vendosur t’i gjobisë vetëm operatorët KEDS dhe KESCO, bazuar në të gjeturat e stafit profesional. Pasojat e këtij dënimi, në të njëjtën mënyrë, po ia bartë  stafit profesional.

Me fjalë të tjera, veprimi i vetëm për tejkalimin e krizës energjetike është vendimi për t’i gjobitur operatorët KEDS/KESCO, duke e thelluar dhe rrezikuar qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në periudhën e dimrit të vështirë që e kemi përpara. Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e ka lënë në “mëshirë të fatit” sektorin e energjisë elektrike.

Pa asnjë dyshim, KEDS dhe KESCO do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, me argumentet dhe dëshmitë përkatëse, me besim të patundur në sistemin e Drejtësisë së Kosovës.

Shkaktimi i krizës energjetike ka ndodhur jashtë kontrollit të operatorëve, të cilët kanë vuajtur pasojat e mosveprimit me kohë të institucioneve përkatëse.

/GazetaSinjali/