image KDKA: Pothuajse një vit pa dialog me MASHTI-n dhe ministren Nagavci

Arsim

KDKA: Pothuajse një vit pa dialog me MASHTI-n dhe ministren Nagavci

news image

Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Arsimit, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e komunikimit institucional nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tyre, ministrja Arbërie Nagavci prej një viti nuk ka zhvilluar asnjë takim me drejtuesit komunalë, të cilët janë përgjegjës për zbatimin praktik të politikave arsimore në nivel lokal.

“Kjo qasje përjashtuese e dëmton seriozisht përpjekjen për ndërtimin e një sistemi arsimor funksional, të drejtë dhe cilësor”, thuhet në njoftimin e Kolegjiumit të Arsimit, duke shtuar se mungesa e bashkëpunimit përbën pengesë të drejtpërdrejtë për adresimin e sfidave që përballen komunat.

Në takimin e fundit të këtij kolegjiumi, u theksuan disa nga problemet më të mëdha që sipas tyre po e ngulfatin arsimin parauniversitar, përfshirë:

Procedurat e ngadalta për zëvendësimin dhe punësimin e mësimdhënësve, që po ndikojnë negativisht në vijimësinë e procesit mësimor;

Formula jo-adekuate e financimit, që nuk reflekton nevojat reale të komunave dhe krijon pabarazi mes tyre;

Zbatimi i Kontratës Kolektive, që po gjeneron barrë financiare të papërballueshme për komunat dhe po çon në përmbarime.

“I bëjmë thirrje Ministres Nagavci që urgjentisht të thërrasë një takim me drejtuesit komunalë të arsimit, për të dëgjuar nga afër sfidat reale dhe për të ndërtuar bashkë zgjidhje konkrete”, thuhet më tej në komunikatën e publikuar nga AKK.

“Kolegjiumi për Arsim riafirmoi gatishmërinë për të bashkëpunuar me MASHTI-n, por ky bashkëpunim nuk mund të zhvillohet në njëanshmëri, izolim dhe injorim të rolit të komunave”, thekson njoftimi, duke përmbyllur se “arsimi nuk mund të menaxhohet nga zyra, pa konsultim dhe pa marrë parasysh realitetin në terren”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/