image KDI: Të gjitha qeveritë emëruan bordet e ndërmarrjeve publike në kundërshtim me ligjin

Politikë

KDI: Të gjitha qeveritë emëruan bordet e ndërmarrjeve publike në kundërshtim me ligjin

news image

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot ka publikuar hulumtimin “Bordet Politike”, ku ndër tjera ka analizuar Bordet të cilat udhëhoqën me ndërmarrjet publike qendrore gjatë vitit 2020.

Gjetjet e raportit tregojnë për shkelje të Ligjit për Ndërmarrje Publike nga të gjitha Qeveritë e Kosovës, në kurriz të pavarësisë “politike” të bordeve, përkundër obligimeve ligjore që kërkojnë që anëtarët e Bordeve të përzgjidhen ose emërohen në bazë të kriterit të profesionalizimit, integritetit dhe pavarësisë politike, shkruan Gazeta Sinjali.

Analiza tregon edhe për shkelje tjera që lidhen me përbërjen gjinore të bordeve. Shumica e bordeve dominohen nga burrat, edhe pse ligji kërkon përfaqësim në masën 50/50. Në praktikë, në vetëm katër nga shtatë Bordet e Ndërmarrjeve publike qendrore (Trepça, Posta e Kosovës, Infrakos, Ibër-Lepenci, Trainkos dhe Kompania për menaxhimin e mbeturinave) ka përfaqësim të grave. Edhe sa i përket deklarimit të pasurisë nga anëtarët e Bordeve, gjatë vitit 2020,  anëtarët e dy nga shtatë bordeve, fare nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre.

“Praktika tregon shumë raste kur kandidatë të subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Kosovës ose kryetarë komunash që nuk kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur në zgjedhjet e viteve të fundit, janë përzgjedhur si drejtorë të bordeve të ndërmarrjeve publike”, thuhet në njoftim.

KDI kërkon nga Qeveria e Kosovës që gjatë procesit të zgjedhjes apo emërimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, të vendosë në bazë të kriterit të profesionalizmit, integritetit dhe paanësisë politike, duke qenë se ndërmarrjet publike, përmes shërbimeve të tyre prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve dhe interesin e gjerë shoqëror. /GazetaSinjali/