Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për leje të veçantë të qarkullimit për deputetët dhe administratën e Kuvendit.
Përmes një komunikate për media, ata thonë se një vendim i tillë mund të paraqes precedent të rrezikshëm në përpjekjet për të ua kufizuar të drejtat deputetëve.
“KDI ua rikujton të gjithë bartësve të funksioneve publike se mandati dhe detyrat kushtetuese të deputetëve, si përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët, janë të pacenueshme dhe se vendimi i tillë mund të paraqes precedent të rrezikshëm në përpjekjet për kufizimin e të drejtave të deputetëve. Nëse Kuvendi i Kosovës vendosë për zhvillimin e punimeve të tij, institucionet relevante (përfshirë edhe Ministrinë e Punës së Brendshme) duhet të zbatojnë detyrat e tyre dhe brenda mundësive të krijojnë kushtet për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit”, thuhet më tej në njoftim.
KDI ka shtuar se është më se e qartë se Kuvendit të Kosovës, si organi më i lartë legjislativ, i njihet e drejta e iniciativës ligjore dhe hartimit të projektligjeve.
“Në gjendje normale të funksionimit të organeve shtetërore, këto projektligje dorëzohen në Qeveri për marrjen e mendimit të ekzekutivit, i cili nuk është i obligueshëm për Kuvendin. Në situatën e krijuar pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, vlerësojmë se Kuvendi i Kosovës duhet të frenojë ndërmarrjen e iniciativave të tilla me qëllim të shmangies së prodhimit të pasojave juridike dhe rrezikimit të sistemit kushtetues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
KDI i ka bërë thirrje Kuvendit dhe trupave të tij punues që të vazhdojnë me ushtrimin e dy funksioneve tjera kushtetuese: atë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve dhe mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit. Mbikëqyrja e ekzekutivit, bëhet edhe më e rëndësishme në periudha krizash, siç është rasti me pandeminë aktuale, kur merren vendime pa konsultime paraprake me publikun dhe kur shpenzohen mjete të shumta buxhetore me procedura emergjente. /GazetaSinjali/