Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se Kosova ka nevojë për Ligjin e Lobimit, me të cilin do të rregullohej mënyra sesi grupet e ndryshme lobojnë për interesat e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Menaxheri i programit “Transparencë dhe Antikorrupsion” në KDI, Arben Kelmendi, në një konferencë për shtyp deklaroi se ky ligj është i nevojshëm, pasi do të evitoheshin ndërhyrjet nga grupet e interesit të cilat kanë për qëllim që legjislacioni t’iu përshtatet interesave të tyre, por jo atyre të qytetarëve.
“Është koha për një ligj për lobim në Kosovë, pasi që duhet të rregullohet kjo ndërhyrje në vendimmarrjen në ligj. Lobimi është një aktivitet që rritë diversitetin, por që duhet të rregullohet me ligj që të rritet transparenca”, ka thënë ai.
Kelmendi ka deklaruar se ky institucion i ka propozuar Qeverisë që Ligji për Aktivitetet Lobiste ta futet në agjendën legjislative për vitin 2022.
“Ne i kemi propozuar Qeverisë që në agjendën legjislative 2022 të fus përpilimin e projektimit për rregullimin e aktiviteteve lobiste në Kosovë”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/