Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se mungesa e kuorumit në seancat e Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë një problematikë që po e pengon përmbushjen e funksionit të këtij institucioni.
KDI-ja nëpërmjet një analize thotë se ky problem, po e stërngarkon agjendën e Kuvendit, pasi pikat të cilat nuk po arrijnë të miratohen në një seancë po barten në seanca tjera. Për pasojë, jo rrallëherë rendi i ditës së një seance të vetme përmban 30 deri 60 pika për shqyrtim.
“Vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa nuk ka pasur kuorum për votim në shtatë seanca. Nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit” thuhet në analizën e tyre.
Tutje vlerësohet se kryparlamentari, Glauk Konjufca dhe Kryesia e Kuvendit duhet të aplikojnë në mënyrë të rregullt ndëshkimet sipas legjislacionit n fuqi për deputetët të cilët nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit.
“Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit si dhe Rregullorja e Kuvendit, parasheh që një deputet e humb mandatin vetëm nëse mungon gjashtë (6) muaj rresht në seancat e Kuvendit. Po ky ligj përcakton ndalesë të kompensimit për deputetët që nuk marrin pjesë në seanca apo komisione për shkaqe të paarsyeshme. Tutje aty thuhet që “Deputeti është i detyruar të marrë pjesë në seancat plenare dhe në mbledhjet e organeve ndihmëse të Kuvendit, në të cilat ai është anëtar dhe nëse ai për një arsye nuk mund të marrë pjesë, duhet të njoftojë me kohë kryetarin e Kuvendit dhe të prezantojë arsyet e mungesave. Mëditja për pjesëmarrje në seancë është 200 Euro”, thuhet mes tjerash në analizën e tyre.