Tash e katër vjet që nga vrasja e Aulon Zekës, 16-vjeçarit nga Prishtina, familjarët po kërkojnë drejtësi, shkruan Gazeta Sinjali.
Të afërmit e Aulon Zekës thonë se po jetojnë me një ëndërr të keqe. Nga dita që ai u gjet i vdekur, lutja e tyre e vetme është vetëm për drejtësi. Edhe sot në përvjetorin e ditës së fundit që u takuan me të, ata kërkojnë që sa më parë të merret vendimi final për personat që e privuan nga jeta fëmijën më të vogël të familjes.
Ky rast, i cili po konsiderohet si më i rëndi në Kosovë, është kthyer dy herë në rigjykim, ndërkohë që mbrojtja në rastin e Aulonit thotë se nuk do të duhej të zvarritej gjykimi. Nga Gjykata Themelore nuk kanë dhënë detaje, por thonë se ky rast ka qenë në rigjykim dhe G.H, i cili ka vrarë Aulonin, është dënuar me nëntë vjet burgim.
Për atë çfarë po përjetojnë çdo ditë, nuk besojnë që do të shpaguhet as me dënimin maksimal. Familjarët janë të pakënaqur me institucionet e drejtësisë, derisa disa herë përmendin maltretimet që po u bëhen.
Kaltrina Zeka ka qenë shumë e afërt me Aulonin. Në këtë përvjetor, vajza e axhës thotë se me dhjetëra herë janë obliguar të takohen me personat që ia morën jetën atij.
“Tash e katër vjet rasti vazhdon të sillet nëpër gjykata tona edhe deri më sot nuk është që ka pasur drejtësi. Të paktën jo për neve. Familjarët obligohen që çdo dy javë apo çdo dy muaj, varësisht qysh vendos gjykata të shkosh edhe të përballesh me kriminelët të cilët ja kanë marrë jetën familjarit tonë. E sot e katër vjet prej ditës kur ai ka ndërruar jetë vazhdojmë me u end nëpër gjykatat tona. Vazhdimisht kemi shtyrje të seancave në mungesë të palëve kundërshtare. Mandej dy herë është kthyer në rigjykim. Për momentin rasti ende nuk e ka marrë dënimin e duhur”, tha ajo për KosovaPress.
Vrasja e Aulon Zekës, po konsiderohet rasti më i rëndë në Kosovë.
Mbrojtja e tij, Skender Musa thotë se familjarët nuk mund të pranojnë dispozitat ligjore që parashohin dënimin për të miturit.
“Ka qenë rasti më i rëndë në Kosovë, mund të flas të paktën për mua dhe përvojën time si avokat. Ka qenë rasti më i rëndë se bëhet fjalë për një të mitur dhe kryerësit e veprës penale janë dy të mitur. Familjarët e dinë për pasojat që u kanë shkaktuar dhe nuk i pranojnë dispozitat ligjore që parashihet dënimi prej 10 vitesh për të miturit. Dënimet kanë qenë maksimale për veprat që janë akuzuar që i kanë kryer”, thotë Musa.
Familjarët janë të pakënaqur me dënimin maksimal prej 10 vitesh për të miturit që vranë Aulonin. Për këtë, Kaltrina shton se dënime të tilla nuk po arrijnë të parandalojnë këto raste.
“Mendoj që ligji kur është shkruar në atë kohë, ka qenë i shkruar gabimisht. Ne kemi pranuar mesazhe edhe prej personave të cilët e kanë përpiluar ligjin dhe kanë thënë që pas këtyre rasteve të cilat kanë ndodhur prej Aulonit e tutje, janë ndjerë në faj dhe të penduar që e kanë caktuar një lloj limiti për një dënim të tillë. Kështu që nuk mendoj që është dënim i merituar. Çfarë është më e keqja, nuk është një shembull i frikës për krejt të miturit e tjerë të cilët nuk e di se çfarë qëllimi dhe ambicie në jetë, por që po shohim vazhdimisht që dhuna po rritet edhe më e keqja duke u promovuar në këtë formë”, shton ajo.
Ajo shton se ata që ia morën jetën e atë botë 16-vjeçarit, do të mund të vazhdojnë jetën, por jo edhe Auloni.
“Auloni ka qenë pjesëtari më i vogël i familjes dhe nipi më i vogël i shtëpisë. Dhe kur thonë shqiptarët ‘vdekje me rend’, ai ka qenë i fundit në listë që e ka merituar mos me qenë pjesë e familjes dhe i kësaj bote. Mendoj që nuk është e njëjtë, sidomos kur në media shohim vrasje, dhunë dhe probleme të mëdha shoqërore. Dhe mendoj që çdo herë lajme të tilla hapin plagën tonë që të paktën për këto katër vjet për asnjë moment nuk ka mbërri me u mbyll. Unë vazhdoj të jetoj me këtë ëndërr të keqe”, rrëfen ajo.
Se familjarët e Aulonit janë maltretuar gjatë kësaj kohe, e thotë edhe avokati Skender Musa. Sipas tij, ky rast nuk do të duhej të zgjas për kaq vjet për të marrë vendimin e shkallës së prerë.
“Nuk është dashur fare të zgjas katër vjet. Ka mjaftuar të përfundojë brenda vitit apo dy viteve, për shkak se bëhet fjalë edhe për viktimën që është për të mitur edhe kryerësit e veprave penale janë të mitur. Dhe nëse shkon duke u zvarritur procesi gjyqësor, atëherë palës së dëmtuar gjithsesi i shkelën të drejtat dhe me të vërtetë është krijuar një maltretim i jashtëzakonshëm dhe u ka shkaktuar vuajtje të mëdha. Për shkak të veprimeve apo shkeljeve procedurale. Apo mospunës dhe efikasitetit të shkallës së dytë, mos trajtimit të çështjes nga shkalla e dytë. Sepse, nuk mundet të kthehet rasti për çështje esenciale dy herë apo tri herë. Në rastet e ndjeshme, gjykata e Apelit është dashur të gjykojë edhe vet”, thekson Musa.
Mbrojtja shton se është dashur të evitohen shkeljet procedurale dhe të mos kthehet rasti në rigjykim, sepse pala e dëmtuar është lënduar edhe më shumë duke u përballur me seancat gjyqësore.
“Dënimi i merituar është dënimi maksimal për shkak se pasoja është shumë e madhe. Dashja ka qenë shumë e drejtpërdrejt, madje ka qenë dashje dhe vullnet i fortë për ta kryer dhe përfunduar veprën penale. Dhe nuk ka asnjë element të rrethanave lehtësuese. I vetmi fakt që është rrethane lehtësuese te të miturit është për shkak të moshës së re”, bëri të ditur Musa.
Nga Gjykata Themelore nuk kanë dhënë detaje të këtij rasti. Por kanë bërë të ditur se korrik është bërë shpallja e aktgjykimit dhe se G.H është dënuar me nëntë vjet burgim.
“Duke iu referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se rasti në fjalë ka qenë i kthyer në rigjykim dhe me datë 16.07.2021 është bërë shpallja e aktgjykimit. I mituri G.H është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 vjetësh. Lënda është në fazën e ankesës. Lidhur me këtë rast nuk mund tu japim më shumë detaje, pasi që në lëndët ku janë të përfshirë të miturit, procedurat janë konfidenciale”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.
Kërkesa e vetme e familjes së Aulonit, është që sa më parë të merret vendimi përfundimtar.
“Krejt çfarë ne po duam prej shtetit është që të merret verdikti i fundit dhe mos të na obligojnë të shkojmë edhe të përballemi me personat që na i kanë shkurtuar jetën”, shprehet ajo.
Kaltrina e cila ka qenë shumë e afërt me Aulonin, lutet që në Kosovë mos të ketë më këso raste. Për të nuk kanë më kuptim festat, meqë thotë se në familjen e tyre është një karrige boshe.
Për këtë vrasje, qysh nga viti 2018 janë shpallur fajtor tre të mitur. G.H akuzohet për vrasje, R.G për bashkëpunëtore në krim, ndërsa L.LL për moslajmërim të veprës penale.
I mituri i parë është në paraburgim, ndërsa dy të tjerët janë të lirë deri në vendimin final.
Më 16 shtator të vitit 2017, Aulon Zeka ishte gjetur i vrarë me katër plumba në afërsi të shkollës “Model” në Prishtinë. /GazetaSinjali/