image Katër të rinj humbin jetën në Angli – vetura u përplas me shtyllën e ndriçimit

Evropë

Katër të rinj humbin jetën në Angli – vetura u përplas me shtyllën e ndriçimit

news image

Katër persona kanë humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në Liverpool të Britanisë së Madhe, pasi vetura me të cilën po udhëtonin doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi.

Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në rrugën Liverpool Road, në zonën Huyton. Policia njoftoi se një veturë e zezë Seat Cupra, që po udhëtonte nga Liverpooli drejt Knowsley-t, humbi kontrollin pas përplasjes me shtyllën.

Katër burra, të moshave 23, 23, 24 dhe 26 vjeç, u shpallën të vdekur në vendngjarje pak para orës 02:00. Një tjetër pasagjer, 27 vjeç, u dërgua në spital dhe ndodhet në gjendje stabile.

Banorët pranë vendit të ngjarjes kanë treguar se dëgjuan një zhurmë të madhe rreth orës 01:45. Një grua tha për mediat lokale se zhurma ishte aq e fortë sa mendoi se ishte përmbysur një kamion.

Policia ka mbyllur disa rrugë përreth zonës, ndërsa vendi i aksidentit është rrethuar për hetime. Autoritetet kanë kërkuar nga dëshmitarët ose personat që mund të kenë pamje nga kamerat e sigurisë të kontaktojnë policinë.

“Ky është një moment shkatërrues për familjet dhe të dashurit e katër personave që humbën jetën. Prioriteti ynë është të zbulojmë se si ndodhi përplasja”, tha mbikëqyrësi i policisë, Paul Holden.

Rrugët e mbyllura pritet të qëndrojnë të bllokuara gjatë gjithë fundjavës, ndërsa është vendosur edhe kufizim i përkohshëm për fluturimet me dronë mbi zonën e aksidentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/