image Katër policë viktima të qytetarëve

Alarmante/ Katër policë viktima të qytetarëve

news image

Prishtina, Ferizaj e Prizreni janë bërë arenë e përleshjes mes policëve dhe qytetarëve.

Katër policë janë sulmuar nga qytetarët gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë duke rritur shqetësimin për nivelin e sigurisë së qytetarëve.

Ata janë rrahur gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, duke u bërë për spital për shkak të përpjekjeve për të siguruar rend dhe ligj.

Dy prej policëve janë sulmuar në Ferizaj, teksa po arrestonin një të dyshuar i cili më herët gjendej në arrati.Sipas policisë, i dyshuari në përpjekje për të shpëtuar nga duart e policëve i ka sulmuar ata duke u shkaktuar  lëndime. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ahmet Kaqiku”. I dyshuari dhe zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një sulm tjetër ka ndodhur në pasditën e djeshme në rrugën e Jonit në Prizren ku një i dyshuar ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor, i cili ishte në vendin e tij të punës. Polici i viktimizuar ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërgur në mbajtje.

Rasti i tretë ka ndodhur në Prishtinë ku një qytetar mbrëmë rreth orës 22:00 ka sulmuar një polic gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në  rrugën “Zenel Salihu” në Prishtinë. Zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor, thuhet në raportin e policisë.  I dyshuari për sulm ndaj personit zyrtar është arrestuar  dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt./Sinjali/