Asnjë informacion nuk e ka dhënë Spitali Amerikan për numrin e pacientëve që kishin kontakte me katër infermierët e këtij spitali, zyrtarisht të infektuar me Covid-19. Madje, sinjalizuesit bëjnë me dije se pas konfirmimit të këtyre rasteve, spitali testoi vetëm një pjesë të stafit.
Gazeta Sinjali merr vesh se pasi pacienti i Spitalit Amerikan rezultoi pozitiv me koronavirus, i shtrirë në repartin e Kardiologjisë, spitali testoi vetëm stafin që patën kontakte me pacientin në fjalë por jo edhe pjesën tjetër. Edhe përkundër faktit që stafi kishte kërkuar testimin.
Nuk ka informacione nëse ditëve në vijim është planifikuar të testohet edhe pjesa tjetër e stafit, pasi ky spital është ‘karantinuar’ të flasë për Gazetën Sinjali.
Ndërsa, lajmin për testimin e personelit që kishin kontakt me pacientin e infektuar me Covid-19, e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
“Është testuar i gjithë personeli që ka pasur kontakt me pacientin dhe familjarët e pacientit si, menaxhmentit të spitalit i është rekomanduar që të vendosen në izolim shtëpiak personat që kanë rezultuar pozitiv dhe janë marrë edhe kontaktet e kontakteve të tyre për gjurmim aktiv nga IKSHPK”, tha Hoti për Gazetën Sinjali.
Deri më tani numri i personave të infektuar në Kosovë ka shkuar në 387, janë shëruar 66 pacientë dhe 9 kanë vdekur.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë vazhdimisht po apelon qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mbajnë distancën. Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, nga sot kanë hyrë në fuqi masa të reja, ndër të tjera qytetarët e kanë të lejuar të lëvizin vetëm 1 orë e gjysmë brenda ditës. Masat e reja do të zbatohen deri më 4 maj. /Gazeta Sinjali/