image Katër grabitësit e Prizrenit përfundojnë në paraburgim, Sinjali sjell detaje se kush mori pjesë dhe çfarë roli kishte gjatë 'aksionit'

Siguri

Katër grabitësit e Prizrenit përfundojnë në paraburgim, Sinjali sjell detaje se kush mori pjesë dhe çfarë roli kishte gjatë ‘aksionit’

news image

Ditën e 12 qershorit në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, ndodhi një grabitje ku nën kërcënimin e armës, katër persona të dyshuar kanë arritur që të marrin nga arka rreth 600 euro. Sefer Krasniqi, Luan Bytyqi, Drilon Saramati dhe Gzim Pulaj u arrestuan pas një muaji në arrati, pas një aksioni të Policisë ditën e premte në lagjen ‘Bajram Curri’, Dobrusht dhe Vlashnje, raporton Gazeta Sinjali.

I gjithë plani për grabitjen ishte menduar mirë dhe ishte thurur me kujdes nga të dyshuarit, ku secilit i ishte ndarë një rol i veçantë se çfarë duhet të bëjë gjatë ‘aksionit’.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta, se gjatë grabitjes rolin e klientit i cili hyn paraprakisht në market për të vëzhguar situatën, është Luan Bytyqi. Bytyqi kishte blerë një produkt që ndodhej tek arka dhe ishte larguar që aty, për të njoftuar shokët e tij se ‘terreni’ është i lirë dhe mund të kryhet grabitja.

Luan Bytyqi

Më pas në market ka hyrë i dyshuari kryesor i cili mbante armën në dorë, Sefer Krasniqi, i shoqëruar nga i dyshuari tjetër, Drilon Saramati, që mori paratë nga arka.

Sefer Krasniqi
Drilon Saramati

Ndërkohë ‘roje’ po bënte jashtë i dyshuari tjetër, Gzim Pulaj.

Gzim Pulaj

Pasi kryen këtë veprim, hajnat kishin ikur nga vendi i ngjarjes për një drejtim të panjohur.

Pas bastisjeve që u kryen në lagjen ‘Bajram Curri’, Dobrusht dhe Vlashnje, gjatë ditës së premte të cilat rezultuan me arrestimin e të dyshuarve, Hetimet Rajonale kanë gjetur edhe prova që dëshmojnë përfshirjen e tyre në rast.

Gjatë aksionit që u zhvillua në këto lokacione, Sinjali mëson se u gjetën veshmbathjet e të dyshuarve, të cilat i kanë pasur të veshura gjatë kryerjes së grabitjes dhe ndërlidhen me pamjet e siguruara për rastin.

Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar katër të dyshuarve masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për secilin prej tyre.

Ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/