COVID-19

Të infektuar

145

Të sheruar

23

Të vdekur

3

Drejtësi/ Katër asamblistë të Prishtinës shmangin konfliktin e interesit pas kërkesës së AKK-së

news image

Katër këshilltarë të Kuvendit Komunal të Prishtinës janë gjetur në konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

Që të gjithë në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, përveç pozitës që kanë pasur si të zgjedhur në Kuvendin Komunal, sipas vendimeve të ndara të AKK-së, kanë qenë persona të autorizuar edhe në biznese private.

Dy prej këtyre këshilltarëve komunalë, Sami Salihu dhe Shefqet Osmani, janë të LDK-së, Drilon Pireva i PSD-së dhe Vjosa Hamiti e LVV-së, shkruan sot Koha Ditore.

Tre të parët, sipas vendimeve, kanë shmangur konfliktin duke hequr dorë nga personat e autorizuar në biznese, ndërkohë që Hamiti ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltares së LVV-së në Komunën e Prishtinës. Që të katër rastet janë mbyllur, pasi që AKK-ja ka konstatuar se gjendja e konfliktit të interesit është shmangur.

Këto raste thuhet se mund të rihapen në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja. Në të gjitha vendimet ceket se të gjithë zyrtarët komunalë janë njoftuar për papajtueshmërinë me ushtrimin e funksionit publik, konkretisht me atë se gjatë ushtrimit të funksionit në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk mundet që njëkohësisht të ushtrojë edhe funksionin personi i autorizuar në biznes privat, pasi që një gjë e tillë bie ndesh me nenin 13 të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Sipas këtij neni “zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar, ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizative joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike, si dhe rastet kur një funksion i tillë dedikohet me ligj për shkak të funksionit”.

Për këshilltarin komunal Shefqet Osmani, AKK-ja ka konstatuar përveç ushtrimit të funksionit si zyrtar i lartë publik, respektivisht këshilltar komunal në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, ai ka qenë edhe person i autorizuar në biznesin privat “Newco sek-kos Industrial Zone”./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: