Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka rikthyer në punë kardiologun Gani Bajraktari, i cili ishte përjashtuar nga QKUK-ja për mos ofrim të ndihmës mjekësore ndaj pacientëve, raporton Gazeta Sinjali.
Vendimi i 16 tetorit shfuqizon vendimin e korrikut të vitit të kaluar, duke vendosur që Bajraktari të kthehet në vendin e mëparshëm të punës, si kardiolog në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.
Ky komision ka vlerësuar se “dr. Gani Bajraktari nuk ka qenë neglizhent në trajtimin e pacientit, ngase ishte bërë kërkesa për ta ftuar kardiologun invaziv, ku pas disa minutave vjen kardiologu invaziv dhe i ofrohet ndihma mjekësore pacientit, ku gjendja e pacientit përmirësohet dukshëm”.
Lajmin e ka bërë të ditur kardiologu Bajraktari, i cili paralajmëroi se “anëtarët e grupit kriminal”, të cilët thotë se shkaktuan këtë padrejtësi ndaj tij, do të përballen me drejtësinë.
“Sot përfundimisht ngadhënjeu drejtësia ndaj padrejtësisë së shkaktuar nga grupi i organizuar kriminal, i cili bëri krime të pariparueshme ndaj pacientëve në nevojë të cilët u privuan nga e drejta për mbikëqyrje profesionale, krime ndaj mjekëve të ri të cilët u privuan nga e drejta për një shkollim të mirëfilltë, krime ndaj dëmtimit të buxhetit të shtetit që sërish do paguajë mijëra euro të taksapaguesve. Anëtarët e grupit kriminal do të përballen me drejtësi”, ka shkruar ai në Facebook.
Bajraktari ka thënë se në punë do të rikthehet nga e hëna.
“Nga e hëna, dijen time të fituar në vendet më të zhvilluara të kontinentit tonë dhe eksperiencën time 27 vjeçare në fushën e kardiologjisë, sërish do ta keni në dispozicion brenda institucioneve publike”, ka përfunduar ai.
Bajraktari ishte përjashtuar nga QKUK-ja në korrik të vitit 2019, pas ankesave të pacientëve të Klinikës së Kardiologjisë, për mos ofrim të ndihmës mjekësore./Gazeta Sinjali/