Frymëmarrja, ndonëse një proces automatik dhe i pavetëdijshëm, mund të ketë ndikim të madh në shëndetin tonë, veçanërisht në zemër. Sipas kardiologëve, mënyra se si marrim frymë mund të ndihmojë në menaxhimin e stresit dhe të ulë ndjeshëm rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, shkruan Gazeta Sinjali.
Në momente stresi, trupi reagon me rritje të rrahjeve të zemrës, tension të lartë të gjakut dhe tendosje muskulore – faktorë që e rëndojnë ndjeshëm zemrën. Kardiologu Dr. Mohamed Shirazi, në një prononcim për Parade, thekson se “nëse jeni vazhdimisht nën stres, ndodhin procese inflamatore në trup dhe rriten nivelet e sheqerit dhe kolesterolit, duke shtuar rrezikun për sëmundje të zemrës”.
Një nga teknikat më të thjeshta, por tejet efektive për të përballuar stresin, është “frymëmarrja në kuti”, një teknikë e strukturuar frymëmarrjeje e cila ndihmon në rikthimin e ritmit normal të trupit.
Kjo metodë konsiston në katër hapa të barabartë: thithje për katër sekonda, mbajtje të frymës për katër sekonda, nxjerrje të frymës për katër sekonda dhe pushim për katër sekonda – cikël që mund të përsëritet për tre minuta.
Kardiologia Dr. Luiza Spadaro vë në dukje se kjo teknikë përdoret shpesh pas episodeve stresuese për të qetësuar trupin dhe mendjen. “Praktikimi i rregullt i frymëmarrjes në kuti mund të përmirësojë gjumin, të ulë ndjeshëm stresin dhe të ketë ndikim pozitiv në shëndetin e zemrës”, shton ajo.
Ekspertët theksojnë se përfitimet nuk janë vetëm emocionale: frymëmarrja e kontrolluar ndihmon në uljen e tensionit të brendshëm dhe në përmirësimin e funksioneve të zemrës dhe mushkërive – duke e bërë këtë teknikë një mjet të vlefshëm për mirëqenien fizike dhe mendore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!