image Kardiologët e QKUK-së gjobiten pasi që zbuluan parregullsitë në Klinikën e Kardiologjisë

Shëndetësi

Kardiologët e QKUK-së gjobiten pasi që zbuluan parregullsitë në Klinikën e Kardiologjisë

news image

Kardiologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Agron Qerimi dhe dy kolegët e tij, janë gjobitur për “deskredimin e imazhit të QKUK-së dhe humbjen e besimit te qytetarët”, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka bërë të ditur vetë Qerimi përmes një postimi në Facebook, duke thënë se gjoba ndaj tyre erdhi pasi që ata kishin zbuluar parregullsitë në Klinikën e Kardiologjisë Invazive në QKUK.

“…është ngritur një Komision Disiplinor nga menaxhmenti i QKUK-së, duke më gjobitur mua dhe dy kolegë të tjerë për diskreditimin e imazhit të QKUK-së dhe humbjen e besimit te qytetarët! Të gjithë ata që më njohin e dinë që unë shquhem si person i drejtpërdrejtë dhe i paanshëm.”

Unë jam i thirrur të kujdesem për pacientin, ky është Betimi, të cilit, unë i përmbahem pavarësisht pasojave. Por duket qartazi se me anë të këtij veprimi, dikush dëshiron të më ndalojë të drejtën më elementare, atë të fjalës së lirë. Fjala e lirë, të nderuar, më ka kushtuar me pamundësi ngritjeje në detyrë për 5 vitet e ardhshme”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Ata që e kanë gjobitur, ai thotë se e kanë bërë sepse nuk e duan pjesë të ekipeve udhëheqësve, mirëpo, Qerimi kujton se pikërisht për shkak të parregullsive, ai më 30 dhjetor 2020 kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Shefit të Koronarografisë.

Me këtë rast, kardiologu i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë që të shkojnë në QKUK dhe të fillojnë hetime të thellë, për të cilat shprehet i gatshëm të ofrojë prova.

“Duke qenë se e ndjej veten totalisht të pastër nga tendenca për një njollosje të tillë, i bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe Organeve të Rendit, të zbarkojnë në QKUK, të bëjnë hetime më të thella dhe unë do të jem çdoherë i gatshëm të ofroj ndihmën time. Statistika tona do të flasin si prova”, thuhet në reagimin e tij.

“Fjala e lirë mbrohet me Konventën Ndërkombëtare mbi Lirinë e Shprehjes, Neni 40 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Ligjin Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve! Ne nuk jemi Koreja e Veriut apo ndonjë shtet totalitar, por jemi vend i lirë, dhe do të frymojmë e ushtrojmë aktivitetin tonë lirshëm, pa u ndikuar apo frikësuar”, shkroi tutje ai./Gazeta Sinjali/