image “Karantinohet” Spitali Amerikan, katër infermierë rezultuan me koronavirus- nuk japin detaje sesa pacientë kishin kontakte

Shëndetësi

“Karantinohet” Spitali Amerikan, katër infermierë rezultuan me koronavirus- nuk japin detaje sesa pacientë kishin kontakte

news image

Shumë sinjalizues që kanë frekuentuar së fundmi Spitalin Amerikan, kanë raportuar shqetësimet e tyre pasi tri infermiere dhe një infermier në këtë spital dolën pozitivë me Covid-19. Megjithëse pacientet ndihen të shqetësuar, Spitali Amerikan nuk e ka komentuar situatën, edhe përkundër përpjekjeve të Gazetës Sinjali për të kuptuar më shumë detaje.

Në mënyrë që të informohen pacientët, fillimisht Gazeta Sinjali, ka telefonuar në recepsionin e Spitalit Amerikan dhe përkundër premtimit të tyre se pyetjet do t’ia përcjellin personit përgjegjës e pastaj do të përgjigjen, nuk janë lajmëruar më.

Më pas nga recepsioni i këtij spitali, Gazeta Sinjali ka marrë një numër kontaktues të udhëheqëses së departamentit të infermierisë, por e njëjta ka thënë se nuk e ka të lejuar të flasë. E kontaktuar sërish, ajo ka thënë se e ka njoftuar zëdhënësen e spitalit të lajmërohet, por as zëdhënësja nuk është lajmëruar.

Për rastet pozitive me Covid-19 të konfirmuara brenda spitalit dhe për shqetësimet e pacientëve është pyetur edhe Igli Larashi, Drejtor Ekzekutiv në Spitalin Amerikan, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike dhe nuk ka kthyer as SMS-në.

Përderisa, Spitali Amerikan është ‘karantinuar’ të mos flasë për Gazetën Sinjali, nuk dihet se sa pacientë kanë pasur kontakt me infermierët e infektuar me koronavirus dhe a është testuar edhe pjesa tjetër e stafit. Po ashtu nuk dihet as burimi i përhapjes së virusit me origjinë nga Kina në këtë spital.

Sidoqoftë, deri më tani numri i personave të infektuar në Kosovë ka shkuar në 377, janë shëruar 63 pacientë dhe 8 kanë vdekur.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë vazhdimisht po apelon qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mbajnë distancën. Ndërsa, komunat që kanë numër më të madh të të infektuarve janë vendosur në karantinë, përfshirë edhe kryeqytetin. Nga data 15 prill, qytetarët e kanë të lejuar të lëvizin vetëm 1 orë e gjysmë brenda ditës, masat e reja do të zbatohen deri më 4 maj. /Gazeta Sinjali/