image 47-vjeçari shqiptar, ‘bosi i drogës’ në Ekuador, arrestohet për ekstradim

Shqipëri

47-vjeçari shqiptar, ‘bosi i drogës’ në Ekuador, arrestohet për ekstradim

news image

Ministria e Brendshme e Ekuadorit ka njoftuar arrestimin e Dritan Gjikës, një 47-vjeçar shqiptar i shumëkërkuar ndërkombëtarisht për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas autoriteteve, Gjika u arrestua më 26 maj 2025 në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë një operacioni të përbashkët të Interpolit të Ekuadorit dhe homologëve të tyre në Abu Dhabi, me mbështetjen e platformës ndërkombëtare PAcCTO 2.0.

“Dritan Gjika, udhëheqësi i mafies shqiptare në Ekuador, u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe… për qëllim ekstradimi”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjika, i cili mban dy njoftime të kuqe nga Interpoli, kishte hyrë për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë të përkohshme. Sipas Prokurorisë së Ekuadorit, ai udhëhiqte një rrjet të fuqishëm kriminal që operonte në Ekuador dhe Spanjë, duke transportuar sasi të mëdha droge drejt vendeve të Evropës dhe Amerikës Qendrore.

Organizata e drejtuar prej tij kishte strukturë të mirëorganizuar, përfshirë logjistikë, kompani legjitime për pastrim parash, si dhe bashkëpunëtorë në porte që ndihmonin në manipulimin e kontejnerëve me drogë përmes metodës së njohur si “grepi i verbër”.

Në shkurt të vitit 2024, pas një bastisjeje në Guayaquil, autoritetet e kishin identifikuar Gjikën si drejtuesin e këtij rrjeti. Aktualisht, pritet nisja e procedurave për ekstradimin e tij në një nga vendet ku është i kërkuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/