Një aksion i koordinuar policor i zhvilluar pas mesnate në disa lokale të njohura në Prizren ka rezultuar me sekuestrimin e një arme zjarri dhe arrestimin e një personi.
Sinjali mëson se mbrëmjen e 15 qershorit 2025, rreth orës 00:30, gjatë kontrollimeve në kuadër të operacionit “Sezoni Veror 2025”, i cili po zhvillohet me autorizim të Kryeprokurorit të Prizrenit, zyrtarë policorë e hetues nga njësitë e DHTN-së në Prizren, Stacionit Policor “Alfa”, si dhe Njësisë Rajonale të Reagimit të Shpejtë nga Gjakova, kanë ndërmarrë kontrolle në disa kafiteri në qendrën tregtare “ABI Çarshia”.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë kontrollit në lokalin “Bar-Bon”, një person ka vendosur vetë të dorëzojë një armë zjarri të tipit Zoraki, me një karikator që përmbante dy fishekë aktivë.
I dyshuari është identifikuar si Muhamed Krasniqi, 25 vjeçar.
Pas ndërmarrjes së veprimeve procedurale dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është marrë vendimi që i dyshuari të ndalohet për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti është nën hetim, ndërsa kontrollet e policisë do të vazhdojnë në ditët në vijim si pjesë e masave për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik në qytetin e Prizrenit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/