Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë dhe jo vetëm, janë të shqetësuar me gjendjen e rrugës që kalon përgjatë kësaj lagjeje.
Ata thonë se janë të ngufatur nga pluhuri, si pasojë e zvarritjes së punimeve për renovimin e infrastrukturës në këtë pjesë të kryeqytetit.
Një sinjalizues ka dërguar foto nga vendi i ngjarjes në redaksinë e Sinjalit, duke njoftuar për këtë problematikë.
Ai ka thënë se segmenti rrugor prej lokacionit te “Xhamia e Llapit” e deri të Shtëpia e Shëndetit është në këtë gjendje qe dy muaj.
Situata në këtë pjesë të qytetit është rënduar edhe më shumë për shkak të rritjes së numrit të veturave në komunikacion, si rezultat i fluksit të bashkatdhetarëve.
Përkundër kësaj gjendjeje dhe kohës së papërshtatshme për punime, autoritetet komunale kanë nisur renovimin e rrugëve. Nga ana tjetër, punimet po zvarriten duke shkaktuar kaos në trafik dhe nervozizëm te qytetarët.
Lagja “Kodra e Trimave” është ndër zonat më të frekuentuara të qytetit. Kjo rrugë është arterie kryesore që lidh komunën e Prishtinës me Podujevën.
Sipas sinjalizuesve nga vendi i ngjarjes, në këtë zonë, kolona e veturave ka arritur deri në një kilometër. /Sinjali/