Bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka dhënë dorëheqje. Vendimi është marrë pasi përmbaruesi ka tërhequr nga xhirollogaria e kësaj ndërmarrje të gjitha mjetet që posedonte.
“Na lejoni të ju njoftojmë se ne anëtarët e Bordit të Përkohshëm, e paraqesim dorëheqje tonë të parevokueshme”, thuhet ndër të tjera në letrën e anëtarëve të bordit, drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit Blerim Kuçi.
Ndryshe, Kompania “Dardafone.net” e familjes Devolli sot përmes përmbaruesit privat urdhëroi Telekomin e Kosovës që t’i transferojë në xhirollogarinë e tyre borxhin me vlerë 26 milionë e 789 mijë e 532 euro e 62 cent.
Ky veprim i Devollëve për tërheqjen e të gjitha mjeteve nga xhirollogaria e Telekomit la pa paga 3 mijë e 500 punëtorë të kësaj ndërmarrje.
Kujtojmë që Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (FSP-PTK), ka paralajmëruar se të enjten me fillim nga ora 13:00 do të fillojë protesta 24-orëshe para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. /Gazeta Sinjali/