image Kanosje në Lipjan – “Ka me t’gri”: Hyn në oborrin e fqinjit dhe e akuzon për narkotikë

Siguri

Kanosje në Lipjan – “Ka me t’gri”: Hyn në oborrin e fqinjit dhe e akuzon për narkotikë

news image

Një incident i rëndë verbal është raportuar mbrëmjen e së enjtes në komunën e Lipjanit, ku një qytetar ka denoncuar një rast të kanosjes serioze nga një person që sipas tij ka hyrë në oborrin e shtëpisë dhe e ka kërcënuar me jetë.

Gazeta Sinjali mëson se më 02 maj 2025, rreth orës 22:30, në Stacionin Policor është paraqitur ankuesi Albion Ramadani, rreth 27-vjeçar, nga fshati Magurë, i cili ka deklaruar se është kanosur nga fqinji i tij, Skënder Meta, rreth 28-vjeçar, banor i fshatit Magurë.

Sipas deklaratës së Ramadanit, i dyshuari ka hyrë në oborrin e shtëpisë së tij dhe e ka kërcënuar duke i thënë:

Pse m’ke hyrë në shtëpi dhe m’ke hedh lëndë narkotike? Ka met gri!” – një kërcënim që ai e ka marrë seriozisht dhe që e ka shtyrë të raportojë rastin në polici.

Policia ka marrë deklaratën e ankuesit dhe ka kontaktuar menjëherë me të dyshuarin Skënder Meta, i cili në dëshminë e tij e ka mohuar kategorikisht si hyrjen në oborrin e tjetrit, ashtu edhe kërcënimin verbal.

Lidhur me rastin, Prokurori ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Kanosje” dhe të trajtohet përmes procedurave të rregullta hetimore.

Gazeta Sinjali do të ndjekë nga afër zhvillimet e mëtejshme të këtij rasti që, edhe pse pa pasoja fizike, ngre shqetësime për tensione të rrezikshme mes banorëve.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/