image Kandidatët për kryeministër, më i pasuri dhe më i 'varfëri'

Kosovë

Zgjedhjet/ Kandidatët për kryeministër, më i pasuri dhe më i ‘varfëri’

news image

Pak më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, katër politikanë janë nominuar nga partitë dhe koalicionet e tyre si kandidatë për postin e kryeministrit të vendit.

Albin Kurti, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Vjosa Osmani janë kandidatët që do të garojnë për ta udhëhequr Kosovën për katër vitet e ardhshme, nëse nuk do të bëhet edhe ndodnjë koalicion tjetër deri në fund të ditës së nesërme, kur është edhe afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kandidatët për kryeministër kanë pasur pozita në legjislativin dhe në ekzekutivin e shtetit për vite me radhë.

Ramush Haradinaj

Për nga pasuria, të cilën kandidatët për kryeministër e kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kandidati i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, del të jetë më i pasuri nga të gjithë, shkruan Sinjali.

Haradinaj i ka rreth 1 milion euro vetëm pasuri të paluajtshme, përfshirë shtëpitë, tokat dhe një banesë, që saktësisht janë vlersuar 944 mijë e 300 euro. Këtë shumë e përbëjnë një shtëpi banimi e lëshuar me qira, një shtëpi tjetër, një banesë dhe një tokë, të regjistruara në emër të kryeministrit në largim. Ndërkaq Kulla në Gllogjan dhe një tokë kodrinore posedohen në bashkëpronësi nga Haradinaj.

71 mijë euro është shuma e parave që Haradinaj ka deklaruar se i mbanë të gatshme në llogarinë e tij bankare. Ndërsa 8 mijë euro ai e ka vlerësuar veturën e tij.

Të hyrat vjetore të Haradinajt shkojnë deri në rreth 109 mijë euro prej të cilave mbi 73 mijë euro të deklaruara si të hyra nga qiraja. Nga paga e tij si kryeministër i Kosovës (tani në largim), ai përfiton rreth 33 mijë euro në vit. Pasurinë e tij e shton edhe pensioni invalidor, i cili shkon në 2 mijë e 700 euro në vit.

Përveç pasurisë, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Haradinaj ka deklaruar edhe borxhet që shkojnë mbi 102 mijë euro.

Fatmir Limaj

I dyti për nga pasuria renditet kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj.

Pjesa më e madhe e pasurisë së deklaruar nga Limaj ëdhtë pasuri e paluajtshme, e vlerësuar 820 mijë euro. Në këtë vlerë përfshihen një banesë, një shtëpi dhe një tokë.

Paratë të gatshme në bankë Limaj i ka rreth 10 mijë. 10 mijë euro poashtu kushton një veturë BMW e deklaruar prej tij ndërkaq 40 mijë euro Limaj i ka deklaruar borxhe.

Vjosa Osmani

Pas Limajt renditet nënkryetarja dhe kandidatja e LDK-së për postin e kryeministres, Vjosa Osmani. Ajo në total ka 467 mijë e 500 euro pasuri të paluajtshme bashkë me bashkëshortin. Në këtë pasuri bëjnë pjesë një banesë e papërfunduar, një tokë dhe një garazhë e papërfunduar. Ndërkaq pjesa tjetër e pasurisë së paluajtshme është në emër të bashkëshortit të saj, ku përfshihen një banesë, dy shtëpi dhe një garazhë.

Në pasurinë e Osmanit dhe bashkëshortit të saj përfshihet edhe një veturë e vlerësuar 9 mijë euro.

Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj kanë mbi 60 mijë euro borxh.

Albin Kurti

Kryetari i VV-së dhe kandidati i radhës për kryeministër, Albin Kurti, radhitet i parafundit nga pasuria që posedon.

400 mijë euro vlerësohet një banesë e deklaruar nga Kurti, por që është pronë e bashkëshortes së tij.

Para të gatshme Kurti deklaron 10 mijë euro, të gjitha në emër të bashkëshortes së tij.

Të ardhurat vjetore të Kurtit shkojnë mbi 19 mijë euro, të cilat vijnë nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq bashkëshortja e tij përfiton mbi 42 mijë euro në vit.

270 mijë euro është borxhi që gjithashtu është në emër të bashkëshortes së Kurtit.

Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, del të jetë më “i varfëri” nga të gjithë kandidatët për kryeministër, bazuar në deklarimet e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Veseli e ka vlerësuar 97 mijë euro një banesë në emër të bashkëshortes së tij. Ndërkaq për çudi, ai vlerëson me 0 euro një lokal afarist në emër të tij si dhe një shtëpi e një tokë në emër të prindit.

Me 16 mijë e 300 euro është vlerësuar një veturë “Jeep”, e regjistruar në emër të Veselit.

Bashkë me bashkëshorten, Veseli ka deklaruar se mban në bankë mbi 7 mijë euro.

Mbi 39 mijë euro janë të hyrat vjetore të Veselit, që vijnë nga Kuvendi i Kosovës si pagë dhe meditje. Ndërkaq 21 mijë euro në vit i merr bashkëshortja e tij.

Veseli ka deklaruar rreth 111 mijë euro para borxh, të cilat ka thënë se i ka marrë për blerjen e një lokali.

Krejt këta kandidatë do të ‘luftojnë’ që ditën e zgjedhjeve, më 6 tetor të përzgjidhen nga qytetarët për ta udhëhequr Kosovën në mandatin e ardhshëm. /Sinjali/