image Kandiatët e zgjedhur për noterë ushtrojnë padi ndaj Ministrisë së Drejtësisë

Kosovë

Drejtësi/ Kandiatët e zgjedhur për noterë ushtrojnë padi ndaj Ministrisë së Drejtësisë

news image

Një pjesë e kandidatëve që ishin përzgjedhur për noterë, kanë ushtruar padi ndaj Ministrisë së Drejtësisë, me pretendimin se vendimi për anulimin e këtij procesi ishte i jashtëligjshëm.

Që prej dy javëve, kur u anulua procesi i emërimit të noterëve, kundër kësaj ministrie janë bërë pesë padi.

Ministrja Haxhiu, këtë provim e kishte anuluar me arsyetimin se procesi i përzgjedhjes së noterëve nga qeverisja e kaluar, nuk kishte pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

Mirëpo, kështu nuk mendojnë kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë, të cilët kërkojnë që të anulohet vendimi i ministrisë dhe të cilët udhtruan padi në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Njëri ndër kandidatët që ushtruan padi ndaj ministrisë është Ylli Bokshi, i cili vlerëson se vendimi për anulimin e procesit të emërimit të noterëve përmban shkelje të rënda të dispozitave ligjore.

Bokshi ka kërkuar nga kjo gjykatë të anulojë vendimin e ministrisë si të kundërligjshëm, me pretendimin se ai asnjëherë nuk ka qenë anëtar i ndonjë partie politike dhe as nuk ka lidhje familjare apo shoqërore me anëtarët e komisionit vlerësues.

Padi kundër vendimit të Ministrisë, më 4 mars 2020, ka paraqitur edhe paditësi Kreshnik Këndusi.

Ndryshe, sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, të marr më 24 shkurt të këtij viti, është anuluar procesi i Provimit për Noterinë, të shpallur në prill të vitit 2019.

Në vendim thuhet se është shkelur parimi i ligjshmërisë, pasi që fillimisht provimit për noterë nuk iu janë nënshtruar të gjithë kandidatët në të njëjtën kohë, duke bërë që provimi të zgjas më shumë se një ditë./Gazeta Sinjali/