Qeveria kanadeze ka prezantuar një projektligj të ri që synon të kufizojë përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën moshën 16-vjeçare, në përpjekje për të rritur sigurinë digjitale dhe për të mbrojtur shëndetin mendor të të rinjve.
Sipas propozimit, të miturit nuk do të lejohen të përdorin platformat sociale, përveç rasteve kur kompanitë arrijnë të dëshmojnë se ofrojnë masa të mjaftueshme mbrojtëse dhe standarde të larta sigurie për përdoruesit e rinj.
Projektligji parasheh gjithashtu krijimin e Komisionit Kanadez për Sigurinë Digjitale, një institucion i ri që do të monitorojë aktivitetin e platformave online dhe do të mbikëqyrë zbatimin e rregullave të reja.
Ministri i Identitetit dhe Kulturës, Marc Miller, tha se rrjetet sociale dhe chatbotët e inteligjencës artificiale janë projektuar për të mbajtur vëmendjen e përdoruesve, duke ndikuar negativisht në mirëqenien emocionale të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Kompanitë që nuk respektojnë kërkesat e reja mund të përballen me gjoba të konsiderueshme, që mund të arrijnë deri në 3 për qind të të ardhurave globale ose 10 milionë dollarë kanadezë.
Me këtë nismë, Kanadaja i bashkohet vendeve që po ndërmarrin hapa për të kufizuar qasjen e të miturve në rrjetet sociale, ndërsa projektligji pritet të kalojë nëpër procedurat parlamentare para se të hyjë në fuqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!