Ballafaqimi me një situatë të pakëndshme siç është përballja me personat që tentojnë të kryejnë vetëvrasje, është një nga situatat më stresuese dhe me përgjegjësi të madhe me të cilat policët nëpër botë pothuajse ballafaqohen çdo ditë.
Me një situatë të tillë është ballafaquar polici amerikan Jeff Sarsli, i cili të mërkurën në mëngjes ishte telefonuar lidhur me një person që tentonte të kërcente nga një urë, transmeton Telegrafi
Për fat të mirë ky rast ka përfunduar si është më së miri, dhe atë falë përvojës 22-vjeçare të policit Sarseli. Kurse e gjithë ngjarja është filmuar nga kamera e zyrtarit policor që e kishte të vendosur në uniformë.
“Si quhesh? Unë quhem Jeff, po ti?”, pyet polici burrin që dukej shumë i shqetësuar.
“E di që ke pasur një ditë të keqe. Mund të ndihmoj, po të premtoj”, dëgjohet duke i thënë policit burrit që tentonte të kryente vetëvrasje.
“Zbrit poshtë mund të bisedojmë. E di që nuk dëshiron ta bësh këtë”, ka shtuar polici amerikan.
E pas gjysmë ore bisedë, Sarsli i ofron një cigare atij me qëllim që të mund të shëtisin dhe të bisedojnë për problemet e tij.
“Eja këtu, më është lodhur dora duke e mbajtur lartë”, është munduar të tallet Sarsli, ku më pas burri me lot në sy zbriti nga rrethoja mbrojtëse e urës dhe vendosi të shëtitet me të.