Nënpresidentja Kamala Harris pritet të paraqesë argumentet përmbyllëse të fushatës në kryeqytetin e vendit, në Uashington, nga i njëjti vend ku ish-Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin përpara se mbështetësit e tij të sulmonin dhunshëm Kapitolin, më 6 janar të vitit 2021.
Harris do të zotohet para amerikanëve se do të punojë për të përmirësuar jetën e tyre, duke i përsëritur argumentet se rivali i saj, Trump punon vetëm për veten e tij.
Ndërsa mbetet një javë nga dita e zgjedhjeve, fjalimi i Harris në vendin e njohur si Elipsi, referuar ndonjëherë si Parku Jugor i presidentit, pranë Shtëpisë së Bardhë, është projektuar për të inkurajuar amerikanët të bëjnë dallimin mes një të ardhmeje me të (Harris) në Zyrën Ovale, apo me Donald Trumpin.
Ndihmësit e fushatës së Harris thanë se ajo synon të përforcojë argumentet se pse votuesit duhet të refuzojnë Trumpin dhe të marrin në konsideratë politikat që ajo ofron.