Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një konflikt familjar ka ndodhur edhe mbrëmë në Klinë, ku djali, i cili dyshohet për sjellje të dhunshme dhe përdorim të substancave narkotike dhe alkoolit, ka kërcënuar familjarët e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një grua e moshuar ka denoncuar rastin në Polici ku ka raportuar se djali i saj e ka kërcënuar me fjalët “kam me ta hjek kryet si të pulës”, pas një debati që lidhej me pagesën e faturës së energjisë elektrike.
Po ashtu, gjatë debatit, ka ndërhyrë edhe nipi i viktimës, i cili gjithashtu u kërcënua nga i dyshuari, duke shprehur veprime të dhunshme dhe kërcënime të rënda ndaj familjarëve.
Viktima raportoi gjithashtu se djali i saj kishte fikur kamerat e sigurisë në shtëpi dhe se ndjehet e frikësuar për sigurinë e saj dhe të familjes, duke shprehur shqetësimin se djali mund të ketë probleme psikologjike që përbëjnë rrezik për të gjithë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku më pas iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.