Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, e ka nisur fjalimin e tij para deputetëve duke treguar se e ka pranuar një letër nga një grua e rëndomtë, e cila ia ka treguar gjendjen e saj të rëndë nëpër të cilën po e kalon si nënë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Jam nënë e dy fëmijëve, njëri 5 vjet e tjetri 10 muaj. Jetoj me qira, kam mbetur pa bukë e pa qumësht për fëmijët. Jetoj e vetme pa burrë. Nuk paska më vështirë se me kërku ndihmë nga të tjerët për fëmijët”, ishin fjalët e nënës që i lexoi Rrahmani.
Rrahmani përmes kësaj letre, tha se ky nuk është rasti i vetëm, kur një grua kosovare përballet dyfish më vështirë me pandeminë dhe gjendjen e rëndë ekonomike si pasojë e saj.
Ai i ka kërkuar qeverisë që të jetë më e kujdesshme me këto kategori, duke kritikuar se po financojnë strukturat paralele, e në anën tjetër nuk po ndihmojnë qytetarin i cili çdo ditë lufton për ekzistencë.