Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e ka lëshuar mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrim Evropian.
Kjo pas një diskutimi që ka pasur me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, të cilën e ka quajtur edhe zëdhënëse të Qeverisë.
Në këtë Komision ka raportuar Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me raportin e KE-së për Kosovën.
Derisa me këtë rast, deputetja Kryeziu ka thënë se ka tendencë nga deputetët e opozitës që të hedhin fajin për dështimet e arsimit në ministren aktuale, derisa ka kritikuar kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, me ç’rast ka thënë se gjatë kohës së tij Kosova është përjashtuar nga dy organizata të rëndësishme të arsimit.
“Ka qenë tendencë e deputetëve të opozitës me e hedh fajin për të gjitha dështimet e arsimit në ministren aktuale, ose udhëheqjen aktuale të kësaj ministrie, sidomos deputetë të partive opozitare që në të kaluarën partitë e tyre kanë pasur rastin të udhëheqin me Ministrinë e Arsimit siç është rasti i kohës kur vendi është qeverisur nga Ramush Haradinaj”, ka thënë Kryeziu.
Me këtë rast Kadrijaj ka reaguar duke i thënë se po luan rolin e zëdhënëses së Qeverisë derisa është ngritur për ta lëshuar mbledhjen.
Kadrijaj i ka kërkuar Kryeziut që mos ta keqpërdor pozitën e saj./GazetaSinjali/