Aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë, Lendi Mustafa, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi është përballur me kërcënime serioze. Personi që dyshohet se e kanosi me jetë tashmë është ndaluar dhe ndaj tij është bërë kërkesa për paraburgim, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga Mustafa, i cili ka dhënë dëshminë e tij në Polici, ku ka rrëfyer detajet e rastit që i ndodhi pasditen e së mërkurës.
Sipas informacioneve të para, Lendi Mustafa është kërcënuar nga një person, i cili dyshohet se me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim ndaj komunitetit LGBTQ+ bazuar në orientimin seksual të tij.
Të njëjtat burime thonë se i dyshuar për rastin është Mentor Zeqiri përmes rrjetit social “Facebook” ka lënë një koment nga Lendit, duke shkruar se “Robtë në p*** t’i q*. Zije një hallve masi s’mujta me t’shkelë me kerr me t’i q* robtë. M’ke ikë për pak, veç je peder se çiftave si ju veç mi shkelë duhet”.
Ky koment erdhi pasi paraprakisht, po atë ditë, i dyshuari e ka kanosur viktimën, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke e drejtuar veturën me shpejtësi të madhe, ka tentuar ta godasë në vendkalimin për këmbësorë në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë.
Lendi ka arritur t’i shmanget goditjes nga vetura, teksa pasi mori kërcënimet edhe përmes “Facebook”, e ka raportuar rastin në Polici.
Pasi i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, nën dyshimet për veprat penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit “, sipas KPRK-së.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.