image "Ju del shumë problem", i riu që kërcënoi me trazira nëse nuk lirohet Iran Badalli, kërcënon edhe gazetarët e Sinjalit

Siguri

“Ju del shumë problem”, i riu që kërcënoi me trazira nëse nuk lirohet Iran Badalli, kërcënon edhe gazetarët e Sinjalit

news image

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një të ri, i cili ka kërcënuar se do të organizojë trazira të ngjashme me ato të marsit, të vitit 2004*, nëse nuk lirohet Iran Badalli, njëri nga të akuzuarit për shpërthimin në Zhur, si pasojë e të cilit vdiq një polic dhe u lënduan tre të tjerë.

Ai ka kërcënuar Gjykatën Themelore në Prizren, se nëse Badalli nuk lirohet në seancën e ardhshme, ai bashkë me bashkëvendësit e tij do të organizojnë trazira.

Ai pretendon se eksplozivi që ia mori jetën zyrtarit policor Sami Thaçit dhe u shkaktoi lëndime policëve: Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi, nuk është vendosur nga Irani, por nga vetë policët.

“O ta pshu**sha mantillin o avokati b**es. Nuk e ka montu Irani (i akuzuari Irani Badalli). E keni montu vetë. Kush ka qef m’i mytë fëmijët e vet, o r*pt juve. Në seancën tjetër, krejt Zhurin e ki përballë gjykatës. O e lironi ose veprojmë se në 2004. Krejt qytetin çka e ka kallë Zhuri i Madh. Respekt për bashkëvendësit e mi”, ka komentuar ai në lajmin për nisjen e shqyrtimit gjyqësor për këtë rast.

Mirëpo, Blerimi ka vazhduar kërcënimet edhe ndaj gazetarëve të Gazetës Sinjali, duke “paralajmëruar” se do t’ju dalë “shumë problem”.

“Ju del shumë problem. Ju paditi i nderum. 50 komente ken, ku e more bash temin. 100 mijë telashe i kam vet, veç edhe ju mem postu. Fshije”, ka shkruar ai.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020, dyshohet se ishin furnizuar me mjet eksplodues nga Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin mjet e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve, në katin e dytë të shtëpisë së Iran Badallit, çka edhe shkaktoi vdekjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës.

Në natën kritike të 28 janarit 2020, pas një kontrolli të autorizuar nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në kontakt me mjetin eksplodues ra polici Sami Thaçi, i cili edhe humbi jetën si pasojë e shpërthimit të këtij mjeti.

Ndërsa, lëndime të rënda trupore, me pasoja të përhershme pësuan policët Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi.

Gazeta Sinjali mëson se përveç mjetit eksplodues, nga i cili kanë pësuar 4 zyrtarë policorë, në shtëpinë e të akuzuarit Badalli është gjetur edhe eksplozivi “TNT”, në peshë prej 809.1g dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës, në gjatësi prej 63 cm.

Vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor është caktuar për datën 23 korrik 2021.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

*Gjatë trazirave të 17 e 18 marsit 2004 u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, u lënduan mbi 900, dhe u shkatërruan objekte fetare e kulturore. Këto trazira shpërthyen dhe eskaluan në dhunë në gjithë Kosovën pas raportimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë duke ikur nga disa serbë./Gazeta Sinjali/