image Jovanoviq: Kompromisi është njohja e Pavarësisë së Kosovës si shtet i serbëve dhe shqiptarëve

Politikë

Jovanoviq: Kompromisi është njohja e Pavarësisë së Kosovës si shtet i serbëve dhe shqiptarëve

news image

Lideri i Partisë Liberal Demokrate në Serbi, Çedomir Jovanoviq dhe deputeti i partisë së ekstremit të djathtë “Dveri”, Boshko Obradoviq, janë përplasur gjatë një debati televiziv për çështjen e Kosovës, në të cilin është folur edhe për raportet e Serbisë me shtetet e tjera, raporton Gazeta Sinjali.

Obradoviq deklaroi se nuk i njeh vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sa i përket gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se për të çështja e Kosovës është e pazgjidhur. 

Mirëpo, Jovanoviq nuk u pajtua me këtë argumentim, ngase, sipas tij, në rajon kanë ndodhur shumë gjëra të dëmshme në të cilat është përfshirë Serbia.

Jovanoviq ka deklaruar se situata në Kosovë është e tensionuar sepse popullsia shqiptare është e mobilizuar për shkak të frikës që, sipas tij, ka në raport me veprimet e Serbisë. Ai ka thënë se është i nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb.

“Ekziston mosbesim i madh, ata na shohin, pra më shohin mua, të shohin ty, këtu se çfarë flasim. I shohin ata njerëzit në Gazimestan dhe thonë: ‘po këta serbët prapë kanë filluar të sjellën sikurse në vitet e 90-ta’.  I shohin tanket e i shohin edhe ushtrimet ushtarake. Prandaj, është një konfuzion që tregon që ne duhet të jemi të kujdesshëm. Na duhet paqe me shqiptarët”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Serbia duhet të njohë Pavarësinë e Kosovës dhe të ofrojë garanci dhe të drejta për serbët, në kuadër të një pakete për zgjidhjen e konfliktit.  

“Me popullin shqiptar duhet të gjejmë një zgjidhje të kompromisit. Kompromisi është njohja e Pavarësisë së Kosovës si shtet i serbëve dhe shqiptarëve, me një autonomi për kishën ortodokse serbe dhe me një paketë”, ka thënë Jovanoviq./Gazeta Sinjali/