Anthony Joshua ka hedhur menjëherë sytë nga përballja e shumëpritur me Tyson Furyn, pas meçit ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga.
Duke folur pas ndeshjes, Joshua përdori fillimisht tone provokuese, duke paralajmëruar rivalin e tij britanik.
“Do t’ia shqyej zemrën. Unë jam kampioni më i lig dhe më i egër që ka ekzistuar ndonjëherë”, deklaroi ai me zë të lartë.
Më pas, Joshua e zbuti tonin dhe theksoi se përballja me Furyn kërkon jo vetëm agresivitet sportiv, por edhe respekt për atë që kundërshtari ka arritur gjatë karrierës.
“Duke lënë mënjanë shakatë, kjo gjë ka dy anë. Duhet ta kesh atë energji si luftëtar, por edhe respekt. Unë respektoj gjithçka që ai ka bërë dhe ka arritur”, tha Joshua.
Britaniku shtoi se prej kohësh e ka kërkuar këtë duel dhe shpreson që më në fund tifozët ta shohin përballjen mes dy prej emrave më të mëdhenj të boksit britanik.
“Si dikush që e ka kërkuar këtë ndeshje prej një kohe, tani ajo është këtu. Shpresoj që tifozët të kënaqen”, u shpreh ai.
Një duel mes Joshuas dhe Furyt është pritur prej vitesh nga adhuruesit e boksit dhe konsiderohet një nga përballjet më të mëdha të mundshme në peshat e rënda.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!