Jens Stoltenberg bën një hap pas. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka kundërshtuar planet për të dërguar trupa ushtarake në Ukrainë.
Qëllimi sipas Stoltenberg është dërgimi i ndihmave, përgatitja ushtarake dhe një koordinim më i mirë. Reagimin e tij, Stoltenberg e bëri gjatë takimit me vendet anëtare të NATO-s në Bullgari.
“Nuk kemi plane për të filluar stërvitjen brenda Ukrainës. Qëllimi ynë është të bëjmë më shumë trajnime jashtë Ukrainës dhe ne po dëshmojmë se jemi në gjendje ta bëjmë këtë në një mënyrë efektive në të gjithë Aleancën. Dhe unë besoj fuqishëm se nëse kemi një kornizë më të fortë të NATO-s, rreth mbështetjes, ne do të jemi në gjendje të rritemi dhe gjithashtu të koordinohemi edhe më mirë”.
Stoltenberg ka qenë në qendër të kritikave të Kremilinit, pas deklaratës së tij se aleanca duhet ti japë dritën jeshile Kievit të godasë objektet ushtarake brenda territorit rus.
“NATO po rrit shkallën e përshkallëzimit”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për të përditshmen ruse Izvestia.
“NATO po flirton me retorikën ushtarake dhe po bie në ekstazë ushtarake”, tha Peskov, duke shtuar se ushtria ruse e dinte se çfarë të bënte.
Vendet aleta të të NATO-s janë shprehur kundër goditjes së objektivave ushtarake. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez siguroi se Madridi nuk planifikon të përdorë armët e furnizuara në Kiev për sulme në territorin rus.
Stoltenberg nxitoi të tërhiqej nga deklarata e tij dhënë për britaniken The Economist, duke theksuar se “I takon aleatëve të vendosin për kufizimet” për përdorimin e “armëve të dorëzuara në Ukrainë.
Ky nuk është një vendim i NATO-s, është një vendim i marrë nga aleatë individualë”.
Sakaq, Presidenti francez ka paralajmëruar Evropën se, Rusia nëse mposht Ukrainën mund të arrijë në Bruksel.
Macron gjatë një fjalimi në Dresden të Gjermanisë, kërkoi më shumë mbrojtje evropiane të përbashkët, pasi sipas tij, Kina, Rusia dhe Irani janë kërcënimet e së ardhmes.