image “Jo kredibile”, “Pengon reformat në drejtësi” – vartësit e Albin Kurtit e sulmojnë brutalisht Gjykatën Kushtetuese

Drejtësi

“Jo kredibile”, “Pengon reformat në drejtësi” – vartësit e Albin Kurtit e sulmojnë brutalisht Gjykatën Kushtetuese

news image

Dy nga vartësit e Albin Kurtit, Besnik Bislimi si numri dy i qeverisë dhe Albulena Haxhiu si ministre e Drejtësisë, në pak ditë e kanë sulmuar brutalisht Gjykatën Kushtetuese, raporton Gazeta Sinjali.

Në fillim të vitit, zëvendëskryeministri i Kosovës, duke folur për një media serbe, e sulmoi brutalisht Gjykatën Kushtetuese, e cila nga viti 2021 udhëheqet nga Gresa Caka-Nimani.

Bislimi e goditi ashpër Kushtetuesen duke e quajtur “jo kredibile” dhe “jo kompetente”.

“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverze; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, tha Bislimi.

Për më tepër – ndonëse vendimet e kushtetueses duhet të pranohen dhe shihen si interpretimi final i kushtetuetshmërisë – Bislimi tha se “ne si qeveri rezervojmë të drejtën e intepretimit”.

“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre. Nuk është se po i mohojmë”, tha ai.

“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil”, ka vazhduar Bislimi sulmet ndaj Gjykatës më të lartë në vend, shkruan Gazeta Sinjali.

Më keq, se ka lënë as e para e Drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu, e cila duke folur sot për cilësimet që ditë më parë i ka bërë kolegu i saj nga qeveria, tha se “Gjykata Kushtetuese është fakt që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi por edhe në fushat e tjera”.

Ministrja ka kritikuar Kushtetuesen për vonesa në trajtimin e kërkesave, vonesa këto që Haxhiu thotë se po bëhen në kundërshtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese

“Mendoj që është fakt që një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi, por edhe në fushat tjera, është Gjykata Kushtetuese. Pse po e them këtë. Sepse opozita po e konsideron si shpëtim. Në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi, qoftë në aspektin ekonomik-financiar, mirëpo edhe ato në administratën publike”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

“Fakti që Ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë që Gjykata Kushtetuese për kërkesat që dërgohen nga ana e Kuvendit, duhet të trajtohen brenda 2 muajve, dhe nga ana tjetër në presim deri në një vit për një aktgjykim, kjo sigurisht përbën problem, sepse ka pasoja afatgjate. Sepse reformat që ne mund ti përfundonim para një viti, sepse Gjykata Kushtetuese s’i ka trajtuar me prioritet, ne jemi të detyruar të presim e të presim me muaj të tërë në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, një aktgjykim”, tha tutje Haxhiu.

“Unë kam folur shumë për Kushtetuesen. Prandaj s’kam çfarë të shtoj dhe nuk mendoj që duhet ta marrim dikë me të mirë për të na nxjerrë një vendim të mirë. Prandaj s’është qasje e duhur që ta marrim dikë me të mirë sepse na duhet një vendim i mirë”, ka thënë ajo, shkruan Gazeta Sinjali.

/GazetaSinjali/