Kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar se “tubimi i djeshëm i serbëve nga Kosova në Rudar ka treguar qartë jo vetëm unitet dhe harmoni, por edhe se kur janë kohët e vështira, të gjithë serbët në Kosovë, si nga veriu ashtu edhe nga jugu i Ibrit, kanë një mesazh të përbashkët se duan të qëndrojnë në vatrat e tyre dhe të jetojnë në paqe”, transmeton portali propagandues serb “Kosovo-online”.
Jevtiq ka thënë për televizionin serb “Përva TV” se “nuk janë serbët në Kosovë ata që me veprimet e tyre po provokojnë ndonjë përshkallëzim të konfliktit, por se kjo bëhet me deklarata nga Prishtina”.
“Kur dikush thotë se barrikadat do të hiqen bashkë me viktima, ky është një mesazh i qartë se cili është qëllimi i dikujt”, ka pretenduar Jevtiq.
Ai gjithashtu ka thënë se “serbët nga Kosova në takimin e djeshëm kanë thënë qartë se nuk e shohin problemin mes dy kombeve, por në atë se kush e udhëheq qeverinë në Prishtinë, dhe ky është Albin Kurti”.
Jevtiq ka pretenduar se Kurti “prejse ka marrë detyrën e kryeministrit ka provokuar me veprime të njëanshme dhe ka shtuar se është çështja e bashkësisë ndërkombëtare se çfarë po bën ajo në mënyrë që Kurti të pengohet të mos fillojë një konflikt me qëllim të dëbimit të serbëve të mbetur nga Kosova”.