image Jeton Buquku u denoncua për kërcënimin e njërit prej të akuzuarve në incidentin ndaj biznesit të tij – Sinjali sjellë detajet

Ekskluzive

Jeton Buquku u denoncua për kërcënimin e njërit prej të akuzuarve në incidentin ndaj biznesit të tij – Sinjali sjellë detajet

news image

Biznesmeni nga Peja, Jeton Buquku, pronar i fabrikës për përpunimin e mishit “Buquku”, jo rrallëherë është përfshirë në skandale, siç ishte rasti i fundit për të cilin Sinjali publikoi edhe pamje të rrahjes së një personi në lokalin e tij. Gjithçka dyshohet se lidhet me incidentet që kanë ndodhur te bizneset e kësaj familje, për çka ka kërkuar me ngulm emrin e një personi, të cilin e kanë akuzuar se ka gisht në këto raste, raporton Gazeta Sinjali.

Organet e rendit dhe të drejtësisë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe për njërin incident që ka ndodhur te bizneset e familjes Buquku janë akuzuar një grup prej disa personash.

Por ndonëse po hetohen nga shteti, njëri prej tyre është përballur edhe me Jeton Buqukun, i cili ka tentuar t’i qërojë hesapet, duke e kërcënuar seriozisht.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se rasti ka ndodhur më 8 qershor të këtij viti, te pompa e derivateve ‘Hib’ në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Pejë dhe është denoncuar po atë ditë nga viktima.

Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë në Polici, mesditën e 8 qershorit, Jeton Buquku ia ka zënë pritën viktimës dhe i ka shkuar te vetura për t’i kërkuar llogari gjoja për ‘mosbashkëpunim’ për ta zbardhur incidentin që iu kishte ndodhur.

Në procesverbalin që e ka parë Sinjali, ndër të tjera thuhet se Buquku i është drejtuar viktimës me fjalët “kom me t’i qitë trutë në ledinë, ty edhe djalit tënd që ndodhet në Norvegji…sot të nala kështu se herën tjetër ka me marrë vesh krejt Kosova se nuk t’vras msheftë”.

Pas dëshmisë së dhënë në Polici, të njëjtat burime kanë bërë me dije se viktima nuk ka dhënë më asnjë deklaratë dhe nuk është ftuar as nga Prokurori për intervistim.

Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë, për të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me këtë rast dhe në cilën fazë të hetimit është.

Nga Policia Rajonale në Pejë kanë bërë të ditur shkurt se në koordinim me Prokurorinë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe janë intervistuar palët.

“Në koordinim me Prokurorinë Themelore Pejë janë ndërmarr veprime te caktuar te hetimore janë intervistuar palët e apostrofuara, rasti me raport informues është dërguar me datë 06.08.2024 në Prokurorinë Themelore Pejë.”

Ndërsa nga prokuroria akoma s’kanë kthyer përgjigje nëse është ngritur aktakuzë ndaj Buqukut, apo kanë pushuar hetimet, për çka Sinjali do të iu mbajë të informuar posa të ketë një konfirmim zyrtar.

Sinjali ka kontaktuar edhe Jeton Buqukun, por i njëjti është përgjigjur shkurt se “s’po të kuptoj” dhe më pas e ka ndalur telefonin.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detaje të reja në vazhdim edhe për rastet e tjera ku është i përfshirë Jeton Buquku dhe bizneset e tij.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/